Aktualitet

Dy tendera të KQZ-së hetohen nga SPAK-u, Celibashi: Procesi ka të gjithë legjitimitetin!

Dy tendera të KQZ-së po hetohen në SPAK, kryetari Ilirjan Celibashi tha se ka zero shqetësim për veten, si dhe për këdo tjetër nga Komisioni të angazhuar në këtë proces.

Mendoj se nuk do të kishte dobi çfarëdo që të them unë, pasi në fund është dikush tjetër që jep vlerësimet edhe për këtë rast. Procesi ka të gjithë legjitimitetin në çdo pikëpamje.

Në gusht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dorëzoi në zyrat e Prokurorisë së Posaçme dokumentet lidhur me prokurimet e procesin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e fundit, si dhe për tenderin që përzgjodhi kompaninë, e cila ka krijuar sistemin e identifikimit elektronik të zgjedhësve.

Nga SPAK-u janë gjetur fakte dhe indicie nga hetimi i të tjera ngjarjeve dhe personave e që kanë ngritur dyshimet për shkelje ligji. Zyrtarisht, nga KQZ-ja nuk ka njoftim për këtë hetim ndërsa komisioni i është përgjigjur shumë shpejt kërkesës së SPAK-ut.

Prokuroria nuk ka dhënë asnjë shpjegim se kush e pse po hetohet procesi i zgjedhjes së kompanive që realizuan sistemin e identifikimit të zgjedhësve, si dhe votimin e numërimin elektronik.

Ndërkaq, komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve deklaroi se nuk ka më kohë për të kryer votim elektronik në 6 qarqe, teksa shanset janë maksimumi deri në tre. I pyetur nëse mund të bëhet një Reformë Zgjedhore për zgjedhjet e 2025-ës, Celibashi u shpreh:

Ka shumë pak kohë tani deri në zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme kështu që nuk e di. E para do të duhet të kuptojmë se cili është koncepti i një reforme të thellë. Eshtë e qartë që ka akoma shumë për të bërë në lidhje me çështjet e administrimit zgjedhor. Për disa prej këtyre çështjeve mundet akoma të ketë kohë. Por besoj për shumë çështje të tjera, koha tashmë ka kaluar. Gjithsesi, nëse politika e gjen gjuhën për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor, ne jemi të detyruar që t’i përgjigjemi këtyre ndryshimeve.

I pyetur lidhur me votimin elektronik në zgjedhjet 2025-ës, Celibashi tha se është shumë vonë për t’u shtrirë në 6 qarqe.

Mendoj që shtrirja e votimit elektronik në 6 qarqe është thuajse e pamundur. KQZ-ja nuk e ka kohën në dispozicion. Nuk ka mundësi që ta përgatisë votimin elektronik në 6 qarqe. Ndoshta ka akoma kohë për të diskutuar dhe për të vendosur nëse në një ose dy apo maksimumi tre qarqe të tjera të shtrihet procesi.

Në fakt jemi në një proces diskutimi me përfaqësues të partive politike për këtë çështje. Jemi duke finalizuar. Besoj se brenda kësaj jave finalizojmë draftet përkatëse për votimin nga jashtë. Drafti i parë ka të bëjë me aktin e regjistrimit të votuesve nga jashtë dhe mendoj që brenda afateve të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor këto akte do të kalojnë për shqyrtim nga Rregullatori dhe do të marrin miratimin e këtij organi.