Në qytetin e Elbasanit janë konfirmuar dy raste të etheve të Nilit. Të prekurit janë nga fshatrat Bujqes dhe Jagodinë, një person 74-vjeçar dhe një tjetër 45-vjeçar. Sipas burimeve shëndetësore, gjendja e tyre është e mirë dhe ata po ndjekin trajtim të specializuar.
Në përgjigje të situatës, janë ndërmarrë masa të shumta për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Strukturat e angazhuara për këtë çështje kanë realizuar dezinfektimin e plotë të të dy fshatrave dhe Bashkia e Elbasanit ka kryer një operacion të gjerë dezinfektimi të kontejnerëve të mbetjeve urbane në të gjithë zonën. Pjesë e planit të masave është edhe monitorimi i vazhdueshëm i situatës shëndetësore dhe edukimi i komunitetit mbi masat e higjienës për të parandaluar infeksionet.