Bota

Dy persona të vrarë pas një sulmi me armë në Zelandën e Re!

Sulm me armë në Zelandën e Re. Një person hapi zjarr e vrau dy vetë, si dhe plagosi gjashtë të tjerë në një kantier ndërtimi në qytetin Aukland. Më pas, gjeti vdekjen pas një shkëmbimi zjarri me policinë. Një oficer u qëllua dhe u plagos. Gjithashtu katër civilë u lënduan. Ngjarja u mbyll me tre viktima e 11 të plagosur. Gjithçka ndodhi disa orë para fillimit të turneut për Kampionatin Botëror të Futbollit të femrave.

Të shtënat u sinjalizuan pranë hoteleve ku kanë qëndruar skuadra e Norvegjisë dhe të tjera ekipe të futbollit. Kryeministri i Zelandës së Re, Chris Hipkins konfirmoi se turneu do të vazhdojë, siç ishte planifikuar.

Policia njoftoi se do të ketë siguri të shtuar në ndeshjen e hapjes, për të ndihmuar në qetësimin e tifozëve. FIFA bëri të ditur se do të mbahet një minutë heshtje para ndeshjes.

Eshtë e qartë që me fillimin e Kupës së Botës këtë mbrëmje, ka shumë sy në Aukland. Qeveria foli me organizatorët e FIFA-s dhe turneu do të vazhdojë siç ishte planifikuar. Dua të ritheksoj se nuk ka një kërcënim më të gjerë të sigurisë kombëtare. Ky duket të jetë veprimi i një individi.

Të shtënat tronditën Zelandën e Re, ku të tilla episode janë të rralla.

Hipkins konfirmoi se agresori kishte një armë gjahu, ndërsa shtoi se policia mbërriti brenda disa minutave.

Këto lloj situatash lëvizin shpejt dhe veprimet e atyre që rrezikojnë jetën për të shpëtuar të tjerët nuk janë asgjë më pak se heroike.

Komisioneri i policisë, Andrew Coster deklaroi se personi i armatosur ishte një 24-vjeçar, i cili kishte punuar më parë në kantierin e ndërtimit dhe motivi duket se lidhet me punën atje. Shumë punëtorë u larguan ose u fshehën.

Autori qëlloi në drejtim të policisë, duke plagosur një oficer. U shkëmbyen të shtëna dhe më pas autori u gjet i vdekur.

Nuk dihet nëse policia e qëlloi apo vrau veten.

Vrasësi nuk kishte leje për armë.

Zelanda e Re ka ligje të rrepta për armët, të vendosura që në vitin 2019 pasi një sulmues i armatosur vrau 51 besimtarë myslimanë në dy xhamitë e Christchurch, gjatë lutjeve të së premtes.