Rolling Stones dhe Beatles janë padyshim dy nga grupet rock më të suksesshme të të gjitha kohërave. Nga vitet ’60, fansat e dy grupeve ikonike janë ndarë në mënyrë të qartë për sa i përket muzikës dhe takimet zyrtare midis artistëve, kanë qenë të pakta. Por marrëdhënia mes tyre ka qenë shumë e mirë, madje vetë suksesi i parë i Rolling Stones filloi në vitin 1964 falë këngës “I wanna be your man”, i grupit nga Liverpuli.
Dekada më vonë, ende Paul McCartney tallet me këtë fakt, duke cilësuar grupin si “band koverash”. Por në fakt, Beatles dhe Stones së bashku kanë shitur më shumë se 800 milionë disqe. E përjavshmja amerikane Variety publikoi ditët e kaluara një lajm të bujshëm, teksa pohoi se Rolling Stones ka ftuar anëtarët e mbetur të Beatles t’iu bashkohen në një album të vetëm.
Sipas medias, disa prej këngëve janë gati, të regjistruara në një studio të Los Angeles, ku Mc Cartney ka bashkëpunuar me basin, duke përfshirë në projektin historik dhe Ringo Starr. Albumi i fundit i Beatles ka qenë Mc Cartney III në vitin 2020, ndërkohë që Rolling Stones nuk kanë publikuar asgjë që nga viti 2005, ku realizuan albumin A Bigger Bang. Fansat presin tashmë rezultatin e albumit historik dhe ndërkohë për shaka tentojnë të sugjerojnë emrin e grupit në ”Rolling Beatles”.
Rikujtojmë se Rolling Stones kanë përfunduar në pulla postare. Royal Mail ka emetuar një set prej 12 ekzemplarësh, në nderim të grupit muzikor legjendar që festuan para pak kohësh 60-vjetorin e krijimit. Në pulla, imazhet ikonike të Rrolling Stones gjatë performancave live në mbarë botën. Përpara grupit anglez, ky nderim i është rezervuar tre formacioneve muzikore: Beatles në vitin 2007, Pink Floyd më 2016-ën dhe Queen në vitin 2020.