Policia e Shtetit kontribuon në planin operacional ndërkombëtar antidrogë, të koduar “BOCA DEH RIO”, të zhvilluar nga agjencitë ligjzbatuese në Firence. Arrestohen në Shqipëri, me qëllim ekstradimin, dy pjesëtarë të grupeve kriminale të implikuara në trafikimin e Kokainës nga Amerika Latine në Itali. Gjithashtu, kontrollohen ambiente të lidhura me 20 shtetas të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari.
Nga kontrollet sekuestrohen 20 000 euro, 52 ora të markave të ndryshme, 1 automjet, 7 celularë, kontrata noteriale dhe dokumente të tjera. Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në kuadër të planit operacional ndërkombëtar antidrogë, të koduar “BOCA DEH RIO”, të iniciuar nga agjencitë ligjzbatuese në Itali, Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtorinë e Forcës së Sigurisë Kombëtare, me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe me DVP-të Tiranë dhe Durrës, ekzekutuan vendimet e GjKKO-së, për:
-arrestimin e përkohshëm, me qëllim ekstradimin në Itali, të shtetasve J. K., 34 vjeç, banues në Kavajë dhe M. N., 30 vjeç, banues në Pukë, të akuzuar nga Gjykata e Firences, për trafikim të lëndëve narkotike, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;
-kontrollin e ambienteve të lidhura me 20 shtetas të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Nga hetimet e kryera në kuadër të planit operacional “BOCA DEH RIO”, dyshohet se këta shtetas, të organizuar si grup, gjatë periudhës 2018-2024, kanë trafikuar sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike Kokainë nga Amerika Latine dhe më pas e kanë shitur në qytetet Pisa, Firence, Livorno, Venecia dhe Romë. Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për ekstradimin në Itali, të 2 shtetasve të arrestuar. Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për hetime të mëtejshme.