Kombëtarja shqiptare zhvilloi pasditen e sotme seancën e dytë stërvitore në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Departamenti i Komunikimi në FSHF bën me dije se me grupin në stërvitje nuk ishin vetëm Jon Mersinaj dhe Adrian Bajrami. Të dy lojtarët do të bashkohen në mbrëmje me skuadrën në hotelin ku qëndrojnë të grumbulluar.
Në seancën e sotme stërvitore u bashkuan me grupin edhe Elhan Kastrati, Arlind Ajeti, Enea Mihaj, Amir Abrashi, Qazim Laçi, Jasir Asani, Taulant Seferi, Nedim Bajrami, Arbnor Muja, Ernest Muçi dhe Indrit Tuci. I pranishëm ishte edhe Mirlind Daku, por futbollisti u stërvit vetëm në palestër për shkak të lodhjes gjatë udhëtimit për në Tiranë.
Seanca e sotme stërvitore nisi me punën në palestër dhe më pas kuqezinjtë zbritën në fushë për përgatitje atletike dhe ushtrime taktike.
Berat Gjimshiti, Keidi Bare, Rey Manaj dhe Marash Kumbulla nuk do të jenë pjesë e grupit për dy ndeshjet e nëntorit.
Gjimshiti u dëmtua në ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Udinese-s, ndërsa Bare dhe Kumbulla ishin të dëmtuar dhe pas komunikimit të stafit mjekësor të Kombëtares me klubet përkatëse është vendosur që futbollistët të vazhdojnë rikuperimin.
Sakaq, Rey Manaj, pas shqyrtimit nga ana e stafi mjekësor, u konkludua se sulmuesi nuk mund të rikuperohet në kohë dhe u vendos që Manaj të rikthehet në klubin e tij për të vijuar me programin e rekuperimit.
Ndeshja e parë, Shqipëri – Çeki, do të luhet të shtunën më 16 nëntor në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.