Aktualitet

Durrës, ndërron jetë punonjësi i plagosur nga shpërthimi në një pikë karburanti!

Dy ditë pas shpërthimit të një autoboti me naftë në një pikë karburanti në aksin Durrës-Tiranë, ndërron jetë në spital njëri prej punonjësve që mbeti i plagosur. Për fat të keq, 35-vjeçari Elvis Prendi nuk mundi t’iu mbijetonte plagëve të shumta e gjeti vdekjen. I plagosur mbeti dhe një i ri, Xh.K., 20 vjeç, banues në Kamëz, i cili punonte me viktimën.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 14:00 të ditës së premte, pra në orar dreke. Grupi hetimor ende nuk e ka përfunduar ekspertizën për të zbuluar shkakun dhe po hetohen disa arsye të mundshme. Mësohet se autoboti ishte thuajse bosh në momentin e shpërthimit e po furnizohej me sasi nafte ndonëse fillimisht u raportua se po shkarkonte naftë. Uniformat blu të Durrësit ndërhynë duke evakuar personat e tjerë që gjendeshin në zonën e rrezikuar.

Për fat të mirë, zjarri që pasoi nuk përfshiu çisternat me karburant e ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve mundësoi izolimin e shpejtë, si dhe shuarjen e flakëve, pa lejuar përhapjen e tyre.

Në njoftimin zyrtar të datës 9 gusht, policia reagoi duke deklaruar:

Rreth orës 14:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në një pikë karburanti, është përfshirë nga flakët një automjet që transporton karburant. Për pasojë janë lënduar shtetasit Xh.K., 20 vjeç, banues në Kamëz dhe shtetasi E.P., rreth 35-vjeç, (të dy punonjës të karburantit), të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve zjarrfikëse, si dhe e Policisë ka izoluar flakët duke shmangur përfshirjen nga zjarri të çisternave me karburant. Shërbimet e Policisë evakuan në kohë personat e tjerë që ndodheshin rreth zonës në rrezik nga shpërthimi.