Ambicia e regjisorit Denis Villeneuve në filmin që pa dritën e diellit 3 vite më parë, është amplifikuar në kapitullin e dytë të përshtatjes kinematografike të librit të Frank Herbert. Pjesa e dytë e ‘Dune’ është edhe më fantazmagorike edhe pse familjare. Timothée Chalamat, Zendaya dhe të tjerët që i mbijetuan filmit të parë, e nisin aty ku e lanë për një tjetër spektakël të jashtëzakonshëm që të kënaq shqisat. (vëreni numrin shumës të përdorur këtu).
Për fatlumët e ngeshëm që mundën ta shihnin në kinema kur filmi doli bujshëm – duke u thyer rekordet e të parit, e duke u kthyer në një nga më të rëndësishmit në rang global për 2024, e dinë për çfarë po flas. Për ata që e patën të pamundur, si puna ime, filmi tashmë është në platformat e streaming (unë pashë në (HBO)Max).
Mjeshtëria e Z. Villeneuve është e pranishme në çdo frame të këtij filmi, i cili haset me vështirësinë e pamatshme të përkthimit të faqeve të tëra përshkrimesh të mrekullueshme në imazhe të cilat duhet të përpiqen të jenë po aq. Pak momente nga filmi (i parë ose i dytë) dhe janë të paktë ata zëra në botë që nuk janë të kënaqur me punën e regjisorit vizionar. Përshtatja e materialit është jashtëzakonisht e arrirë, ndër të rrallat raste që një film arrin të jetë po aq i vlerësuar nga kritika sa edhe nga publiku që mbush sallat e kinemave. Skenari i shkruar bashkë me Jon Spaihts edhe pse i reduktuar është i njohur për lexuesit e librit dhe miklues për ata që nuk e kanë lexuar duke u mjaftuar me filmin.
Paul Atreides (Chalamet), është aristokrati që kthehet në një luftëtar guerilas në përpjekje për të çliruar nga pushtuesit një popull të shtypur që e pret atë si Mesia. Fati i tij është një histori që implikon njerëzit e tij më të afërt në një përçapje të vazhdueshme që ai ka me veten dhe kërkesat që njerëzit kanë ndaj tij. Herbert ka shkruar 6 libra “Dune”, të cilat nisën të bëheshin tejet popullore kryesisht mbas vdekjes së tij në 1986. Pjesa e parë tregon për fillimin e historisë së Paul, djalit të Dukës Leto (Oscar Isaac) dhe konkubinës së tij, Lady Jessica (Rebecca Ferguson), në kohën kur të urdhëruar nga perandori, ata do të lënë planetin që e quajnë shtëpi – Caladan – brigjeve të një oqeani për të shkuar në Arrakis, a.k.a Dune. Me të shkuar aty përplasja me ata që e kishin planetin e Dune për mbi 80 vite, një planet shumë i rëndësishëm për shkak të një materie (spice) që është më e vlefshmja në universin e tyre (flitet për vitet 10100), Shtëpia Harkonnen do të jetë fatale. Mizorisht Atreides-at do të sulmohen në pabesi duke shkatërruar të gjithë popullsinë e tyre, të vetmit që arrijnë të jetojnë janë Paul dhe e ëma (edhe disa të tjerë që i zbulojmë në këtë kapitull). Tashmë ata nuk do të jenë më brenda mureve të qytetërimit por do të jetojnë në mes të shkretëtirës duke u munduar të bëhen pjesë e popullsisë autoktone – Fremen-ëve. Paul e gjen veten në sfida të vazhdueshme që i bën ballë pa u tutur, duke fituar duelet që e bëjnë pjesë të një komuniteti të drejtuar nga Stilgar (Javier Bardem) i cili beson tek shenjat që tregojnë se Paul Atreides, nuk është një i huaj si gjithë të tjerët. Sipas Stilgar, ai është i dërguari për të sjellë begatinë mes popullit të tij që ka jetuar ndër shekuj nën mizorinë e tejskajshme të Harkonnen. Vizionet e Paul në episodin e parë materializohen kur njihet me Chani (Zendaya) e cila, nga ana tjetër, nuk beson në profecinë (që sipas saj është shpërndarë nga gratë shtrigane (Bene Gesserit), një urdhër të cilit i përket edhe e ëma e Paul), por beson tek ai.
Pjesa e dytë nis me një Paul i cili mëson të jetë një prej Freman-ëve, duke u edukuar mbi zakonet e tyre dhe duke jetuar një me shkretëtirën. Po ashtu lidhja e tij me Chanin bëhet po aq mishtore sa edhe shpirtërore. Paul tashmë kontrollon pjesën veriore të planetit duke e bërë prodhimin e ‘Spice’ të vështirë e duke zemëruar Harkonnen të cilët do të përfshijnë sërish perandorin për të shuar revoltën e vendasve dhe prijësit të tyre të ri.
Chalamet dhe Zendaya janë një dyshe dinamike, shumë e dashur për t’u parë, duke të kthyer në mendje dyshat fantastike të qyshkurit të Hollywood-it. Në këtë kapitull do të shohim forcën e të dyve, qëndrësen që Zendaya bën si edhe zgjedhjet e vështira që Paul do të duhet të bëjë për të çuar përpara premtimin e tij për të çliruar Dunat nga uzurpatori, zgjedhje vetmohuese të cilat do të lihen varur për t’i dhënë përgjigje në filmin e rradhës. Pritja do të jetë e vështirë.
Romani i Herbert është një fantazi që të shijon me të gjitha imtësitë në çdo faqe, një histori për besimin e dyshimin, mbijetesën e përçapjen, idealizmin e nihilizmin. Autori ka përdorur një numër të pafund referencash për të ndërtuar një botë imagjinare par exellence. Lidhja me realitetin është e qashtër, duke frymëzuar dhe bërë kureshtar paralelisht. Palimsesti i tij përfshin mitologjinë Greke, tragjedinë Shekspriane dhe psikologjinë Jungiane. E pavarësisht sa surreale mund të jetë bota e “Dune” është shumë e kollajtë të shohësh ngjashmërinë me botën ku jetojmë.
Filmi i Villeneuve i qëndron besnik librit në qasjen e tij narrative, duke gërshetuar me një thjeshtësi komplekse sekuencat e dialogjeve të çuditshme por të përtypshme me skena aksioni që rizgjojnë shpirtin e librit ndërsa i sheh, duke mos u kthyer një barrë për historinë e ngarkuar prej nocioneve dhe emërtimeve. Ndryshe nga shumë filma të ngjashëm, tek “Dune” çdo gjë rrjedh, si rëra e imët e shkretëtirës ku ngjarja zhvillohet përmes gishtave. Z. Villeneuve arrin të bëjë bashkë një paletë të ndryshme ngjyrash në më pak se tre orë, skena masive, dyluftime trup më trup, dhe lajthitje teknologjike në bombardime të shkallës së lartë. Është një përvojë e rrallë të shohësh këtë arritje audio-vizuale në ekranin e madh apo të vogël.
Rikthimet e pritura si ato të (Bishës) Beast Rabban (Dave Bautista), Stellan Skarsgard si Baroni mounstruoz do ti bashkohen edhe ato të papritura si Josh Brolin në rolin e luftëtarit të Atreides – Gurney Halleck, të cilin e mendonim të vdekur nga filmi i shkuar. Në film do të shohim edhe nipin e Baronit Feyd-Rautha (një Austin Butler që bëri xhiron e botës për transformimin për këtë rol) apo Christopher Walken në rolin e perandorit si edhe Florence Pugh në rolin e Princesësh Irulan, një personazh që do ta shohim më shumë ne filmin e ardhshëm. Lidhjet mes personazheve do të komplikohen edhe më shumë duke e bërë historinë edhe më interesante nga ku u la 3 vite më parë.
Jetojmë në një botë kaq konfliktuale, me dy luftra aktive, e shumë të tjera më pak të njohura globalisht sa “Dune” të duket jo aq imagjinar se ç’duhet të ishte. E nëse epiku i David Lean në 1962 “Lawrence of Arabia” është padyshim një prej filmave më të rëndësishëm në historinë e kinematografisë (përshtatur nga romani i T.E.Lawrence), Denis Villeneuve është siguruar që puna e tij në “Dune” të konsiderohet si e tillë – ky është një epik i shekullit që i përket, e jo vetëm.
Por kjo nuk është arrijta më e madhe e Z. Villeneuve. Ai, si pak të tjerë, ja ka dalë të përkthejë vizualisht një libër të vështirë, e të mos humbasë thelbin e tij, shpirtin i protagonistit. Paul Atreides, i cili zotëron një fuqi të jashtëzakonshme, është po aq i pasigurt për destinin e tij sa ç’është edhe shikuesi. Jemi ende herët të marrim përgjigje, nëse besnikëria do të vazhdonte, kemi edhe 4 libra nga 6 për të zbardhur.