Aktualitet Politikë

Dumani në Kuvend: Shqiptarët me pozicion dominues në trafikun e drogës!

Drejtësia e re po raporton në Kuvend, me drejtuesit e SPAK-ut, ILD-së, KLGJ-së, KLP-së e Prokurorisë së Përgjithshme që janë thirrur të bëjnë bilancin e punës së 2023-shit. Kryeprokurori Olsian Çela vuri theksin te problematika e mungesës së prokurorëve, duke thënë se përballen me ngarkesë dhe dosje të mbartura. Sipas tij, vijoi krijimi i vakancave, deri në 38% të prokurorëve.

Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 31,71%, por me një ulje 1,54% krahasuar me vitin 2022. Veprat penale si vjedhja e pasurisë, përbëjnë 23,64% të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, të cilat kanë ulje 16.39% krahasuar me vitin 2022. Tendencë në rritje është vërejtur për veprat penale që cënojnë regjimin juridik të tokës, 12,86%; veprat penale kundër sekretit dhe kufijve shtetërorë, 9,20%; veprat penale në fushën kibernetike, 22,35%; veprat penale të trafiqeve të paligjshme”, 47,59%; veprat penale kundër prodhimit dhe kultivimit të narkotikëve”, 13,81%.

Për veprat penale të korrupsionit, Çela theksoi se janë regjistruar 170 procedime me 123 të pandehur dhe 140 procedime me 151 të pandehur janë dërguar për gjykim. Sipas kryeprokurorit nga hetimet e realizuara janë zbuluar në 6 raste të korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Nga 44 procedime penale të transferuara nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe të pranuara nga Prokuroria e Posaçme, janë regjistruar 32 procedime penale për vepra që lidhen me korrupsionin në nivele të larta ose vepra penale që lidhen me detyrën.

Referuar të dhënave statistikore për veprën penale “Dhuna në familje”, për vitin 2023 janë regjistruar 1 396 procedime penale, me 1 078 të pandehur ose me ulje 3,92% të procedimeve dhe ulje 11,35% të të pandehurve të regjistruar krahasuar me vitin 2022.

Në seancë plenare, raportimi po vijon me Altin Dumanin. Mes problematikave, numri një i SPAK-ut nënvizoi mungesën e kallëzimeve nga institucionet publike. Po ashtu, shprehu shqetësimin mbi mospërcaktimin ligjor të statusit të prokurorit pas përfundimit të mandatit, si dhe kërkoi të shtohen hetuesit e BKH-së. Dumani vuri në dukje se çështjet e mbartura mbeten problematike.

Po ashtu, theksoi se hetimet gjatë vitit që lamë pas kanë treguar se grupet kriminale janë sofistikuar dhe se shqiptarët kanë pozicion dominues në trafikun e drogës.

Hetimet e 2023-shit treguan se grupet janë sofistikuar dhe përfshirë në trafikun e drogave të forta, duke pasur pozicion dominues në vendet e origjinës. Duhet cilësuar si shqetësim edhe veprimtaria e sofistikuar, duke operuar përmes call center-ave. Dëmi që iu shkaktohet viktimave shkon në miliona euro. Vepra penale e pastrimit të parave është më e zhvilluar në Tiranë, ndërsa trafikimi i drogës është më i pranishëm në Durrës, Vlorë, Gjirokastër e në Kurbin.