Padyshim se për shumë nga ju kjo situatë është e njohur, personi të cilin e shihni kur jeni para pasqyrës nuk duket aspak njëjtë me personin që e shihni në fotografitë tuaja. Është sikur kamera ta ketë filtruar imazhin në mënyrë radikale. Cila mendoni se e shfaq më së miri mënyrën se si dukemi edhe në jetën reale, pasqyra apo fotografia?
Ne kemi tendenca ta shikojmë veten në pasqyre kryesisht kur jemi në shtëpi, ambient ku ndjehemi më të lirë dhe më të relaksuar. Ndërsa, sa i përket fotografive, zakonisht i bëjmë kur jemi më të tensionuar dhe të papërgatitur. Kjo është arsyeja se përse ndonjëherë para se të shkojmë në ndonjë festë dukemi të parezistueshëm. Ndërsa ditën tjetër, kur e shikojmë veten në fotografitë e festës, papritmas vërejmë diçka krejt të kundërt me atë.
Fakti më i thjesht është se fytyrat tona nuk janë simetrike. Kjo është e vërtetë për gjithsecilin, më shumë për disa, e më pak për tjerët dhe aty shihet shkaktari i këtij konfuzioni. Çdo mëngjes, kur e shikojmë veten në pasqyrë, ne qëndrojmë në të njëjtin vend, duke e parë veten nga një perspektivë e njohur. Si rezultat i kësaj, ne mësohemi ta shikojmë fytyrën tonë nga një kënd i veçantë. Por, kur vjen puna te fotografitë, jo gjithmonë e dini se si, kur dhe nga cili kënd do të bëhet shkrepja e fotos.
Çdo lloj i ndriçimit ka temperaturën e vet. Por, kur shikojmë në pasqyrë, ne nuk e regjistrojmë këtë diversitet të temperaturës. Kjo është sepse truri jonë i cili është një “superkompjuter” automatikisht i barazon dallimet dhe na “shfaq” çehren e fytyrës me të cilën jemi mësuar. Në anën tjetër, fotografia e kap ndriçimin siç është, bashkë me të gjitha dallimet e temperaturës. Kur shikojmë në pasqyrë edhe nëse ndriçimi vjen nga lloj-lloj burimesh, ne prapëseprapë e shohim veten tonë. Ndërsa, fotografitë mund të shkaktojnë që ne t’i shohim disa karakteristika në një ambient ndriçimi.
Mos harroni se kur e shikojmë veten në pasqyrë, ne zakonisht përqendrohemi në një pjesë të veçantë të reflektimit tonë dhe nuk e shohim imazhin në tërësi. Por, kur shikojmë një fotografi, ne çdo gjë e perceptojmë më ndryshe dhe vërejmë gjëra që më herët janë dukur të parëndësishme si përshembull qëndrimi i keq, duart e pozicionuara në mënyrë të çuditshme, etj.
Në pasqyrë, ne shohim një version të “pasqyruar” të vetes sonë dhe kjo përfundimisht e formon perceptimin se si dukemi. Në anën tjetër, fotografitë na portretizojnë në mënyrën se si na shikojnë tjerët, perspektivë e pazakonshme që mund të shkaktojë shumë befasi. Nga kjo mund të vijmë në përfundimin se vetëm fotografitë mund të na japin informacione objektive rreth pamjes sonë fizike. Por, nëse nuk dukeni gjithmonë mirë në fotografi, kjo nuk duhet të jetë arsye për t’u zemëruar. Ndoshta e keni shkrepur fotografinë në moment të gabuar, keni stres të tepërt, etj.