Bota

“Duhet ndëshkim serioz”/ Filipine, thirrje për dëbimin e diplomatëve kinezë!

Këshilltari i sigurisë kombëtare i Filipineve bëri thirrje të premten për dëbimin e diplomatëve kinezë pas bërjes publike të një bisede telefonike me një admiral filipinas. Publikimi i bisedës përshkallëzoi tensionet tashmë të larta mes dy vendeve në lidhje me Detin e Kinës së Jugut.

Ambasada kineze në Manila ka orkestruar “veprime të përsëritura ndërhyrëse dhe shpërndarje të dezinformimit dhe keqinformimit”, me objektiv mbjelljen e mosmarrëveshjeve, ndasive dhe përçarjes, u shpreh në një deklaratë këshilltari i sigurisë kombëtare të Filipineve, Eduardo Ano.

Këto veprime nuk duhet të lejohen të kalojnë pa një ndëshkim serioz.

Ambasada e Kinës në Manila nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për të komentuar për thirrjet për dëbimin e diplomatëve. Zyra e presidentit të Filipineve, Ferdinand Marcos Jr. dhe ministria e jashtme nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment. Dy vendet kanë pasur një sërë përballjesh të tensionuara gjatë vitit të fundit në lidhje me zonat e debatueshme të Detit të Kinës së Jugut. Të inkurajuara nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve, Filipinet kanë shtuar aktivitetin në ujërat ku patrullojnë anije të shumta të rojes bregdetare kineze.

Kina i ka akuzuar Filipinet për shkelje të ujërave territoriale dhe për pabesi, ndërsa Manila e ka kritikuar ashpër Pekinin për atë që e quan politikë agresioni dhe manovra të rrezikshme brenda zonës ekonomike ekskluzive të Filipineve.

Dëbimi i diplomatëve mund t’i shtojë tensionet tashmë të larta. Ka patur nota proteste diplomatike dhe përplasje me anijet filipinase përreth dy ishujve ranorë, më i afërti i të cilëve gjendet 850 kilometra nga vija bregdetare kineze.