Këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare Dua Lipa është shumë krenare për origjinën e saj dhe këtë e vërteton sa herë që i jepet mundësia. Pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare dhe kalimit të pushimeve në jug të vendit, duket se ylli i muzikës pop po mendon të ketë një rezidencë personale pikërisht në këtë zonë turistike.
Mediat amerikane shkruajnë se Dua po ndërton një rezidencë superluksoze në Sarandë, përballë ishullit grek të Korfuzit, me pamje nga deti Jon. Lipa, e lindur në Britani nga prindër shqiptarë, Anesa dhe Dukagjin Lipa, iu dha shtetësia shqiptare në nëntor nga presidenti Bajram Begaj.
Në vitin 2016, këngëtarja dhe babai i saj themeluan “Sunny Hill Foundation” me qëllim mbledhjen e fondeve dhe financimin e koncerteve në Shqipëri, por edhe për të ndihmuar njerëzit që përballen me vështirësi financiare. Rikujtojmë, se në Tiranë, sheshi “Skënderbej” u mbush tej e tej me qytetarë me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Festa kulmoi me ngjitjen në skenë të këngëtares me famë botërore, e cila zgjodhi këtë moment të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët për të zhvilluar koncert në Tiranë. Së bashku me balerinët, Dua performoi hitet e saj të njohura duke ndezur atmosferën në shesh, ku ishin mbledhur njerëz si kurrë më parë. Ndërkaq, Lipa, ka dhënë së fundmi një intervistë për “The Sun”. Krijuesja e hitit “New Rules” gjatë rrëfimit ka pranuar se vuan nga sindroma ‘Imposter’ apo ndryshe sindroma e mashtrimit, e cila ka të bëjë me mungesën e vetëbesimit.