Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin, organizojnë në Kosovë që nga viti 2016 një nga koncertet më të mëdhenj, “Sunny Hill Festival”. Festivali ka mbledhur emrat më të njohur të muzikës, ndër ta dhe artisten me famë botërore, Miley Cyrus apo dhe Dj e njohur ndërkombëtar Calvin Harris.
Pavarësisht pandemisë, “Sunny Hill Festival” do të organizohet sërish këtë vit dhe Dua e Dukagjin Lipa kanë dhënë një lajm të madh. Së fundmi kanë njoftuar se Prishtina do të jetë shtëpia e përhershme e këtij festivali dhe kanë lajmëruar se do ta zgjerojnë më tej në një vend më të madh. Dukagjin Lipa propozoi në një mbledhje që festivali të mbahet afër zonës se panaireve në Shkabaj.
Ndërkohë vetë këngëtarja përmes një postimi në “InstaStory” ka konfirmuar se koncerti do të zhvillohet në një vend më të ri dhe më të madh, teksa ka shprehur krenari e mirënjohje për arritjen e “Sunny Hill”.
Festivali ynë “Sunny Hill Festival” tashmë ka një adresë të përhershme në Prishtinë, Kosovë. Jemi kaq krenarë me arritjen e këtij rrugëtimi deri tani dhe mezi presim që të rritemi më shumë në një vend të ri dhe më të madh! Ju faleminderit për të gjithë dashurinë dhe përkrahjen. Do të shihemi së shpejti.