Vitet e fundit, Disney ka bërë filma ‘live-action’ të disa filmave të vjetër të Disney. Këtu përfshihen “Aladdin”, “Little Mermaid”, “Beauty and the Beast”, “Moana” dhe “Hercules”. Për këtë të fundit është diskutuar emri i këngëtares Dua Lipa në rolin e Megit. Ky film deri më tani ka qenë i prodhuar vetëm në versionin e animuar të vitit 1997. “Duke mos thënë si fakt 100%, por një emër që dëgjoj që Disney e pëlqen tani është Dua Lipa”-thuhet në njoftimin nga mediat ndërkombëtare. Megjithatë, nuk ka asgjë zyrtare dhe nuk është zbuluar ndonjë datë për premierë.
Dua së fundmi është shfaqur në “Barbie” dhe do të jetë pjesë e “Argylle”. Ylli i muzikës pop disa ditë më parë ka publikuar albumin e ri “Radical Optimism”. Lipa ishte një nga shumë artistet që nënshkroi një letër të hapur duke i kërkuar presidentit Joe Biden të bënte thirrje për një armëpushim në Gaza. Këngëtarja shpjegoi qëndrimin e saj politik në ‘Rolling Stone’ në shkurt dhe së fundmi ka postuar një mesazh në Instagram për t’i dhënë fund gjenocidit të vazhdueshëm të popullit palestinez nga Izraeli.
“Të digjen të gjallë fëmijët nuk mund të arsyetohet asnjëherë! E gjithë bota po mobilizohet për të ndaluar gjenocidin e Izraelit. Ju lutemi tregoni solidaritetin tuaj me Gazën”-theksoi Dua. Ky post vjen pasi Izraeli intensifikoi operacionet ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Sulmet e fundit të bombardimeve dhe sulmeve ajrore të Izraelit kanë vrarë të paktën 37 persona. Që nga tetori, mbi 36 mijë palestinezë janë vrarë.
Sulmi i Izraelit në Rafah, i nisur më 6 maj, shtyu më shumë se 1 milion persona të largoheshin nga qyteti, referuar shifrave nga agjencia e Kombeve të Bashkuara që ndihmon refugjatët palestinezë. Shumica e tyre është zhvendosur disa herë për shkak të luftës mes Izraelit e Hamasit e që nisi pothuajse tetë muaj më parë.