Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, performoi në festivalin më të madh britanik, Glastonbury Festival. Artistja me prejardhje nga Kosova, ishte këngëtarja e natës e këtij festivali dhe performoi para 100 mijë njerëzve.
BBC shkruan se ylli i popit u ngjit në skenë me një performancë ambicioze dhe dinamike. Ajo doli në skenën e famshme të Piramidës pas orës 22:00, duke e hapur performancën e saj me një seri të përsosur të këngëve prej pesë hitesh: “Training Season”, “One Kiss”, “Illusion”, “Break My Heart” dhe “Levitating”.
Mediat e njohura britanike gjithashtu vlerësuan koreografitë e saj, të cilat thuhet se lanë njerëzit pa frymë dhe ritmi i performancave të artistes shqiptare nuk u ndal gjatë gjithë natës. Dua Lipa përmbylli performancën me këngën hit “Houdini”.
Gjatë performancës ajo vazhdimisht tha se e kishte manifestuar pikërisht momentin kur do të performonte në Glastonbury duke theksuar gjithashtu se kishte ëndërruar që të ishte artistja kryesore e këtij festivali edhe përpara se të regjistronte albumin e saj të parë.
“E kam shkruar këtë moment në letër, e kam dëshiruar dhe e kam ëndërruar duke punuar shumë.”