Celebrities Gossip Music Showbiz

Dua Lipa anulon turneun në Indonezi, çfarë ka ndodhur?!

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa ka vendosur të anulojë turin e saj në Indonezi për shkaqe sigurie. Ylli 29-vjeçar i popit do të performonte në Xhakartë, por e anuloi spektaklin disa orë para shfaqjes për shkak të shqetësimeve të sigurisë në “Indonezia Arena”, e cila mund të strehojë 16,500 njerëz.

“Me pikëllim them se nuk do të mund të performoj në Xhakartë. Unë jam këtu në vendin tuaj të mrekullueshëm dhe gati për të performuar, por jam e shokuar të them se është përcaktuar se nuk është e sigurt të vazhdohet shfaqja për shkak të shqetësimeve të sigurisë. E kam pritur me padurim këtë mbrëmje dhe më dhemb vërtet që nuk mund të performojmë për të gjithë ju, veçanërisht pas kaq shumë kohësh që nga performanca ime e fundit në Xhakarta”-shkruan Dua në rrjetet sociale.

Mediat ende nuk e bëjnë të qartë se cili është kërcënimi që detyroi autoritetet të anulojnë këtë shfaqje. Më 17 tetor, Dua Lipa, ka shkëlqyer në një nga skenat më të njohura të botës, Royal Albert Hall në Londër, duke ofruar një performancë magjike për fansat e saj. E veshur me një fustan të kuq të mrekullueshëm nga Jean Paul Gaultier, ajo doli në skenë, e rrethuar nga madhështia e Orkestrës Heritage, e drejtuar nga Ben Foster.

“Ky spektakël është ndryshe nga çdo gjë që kam bërë më parë”-tha Dua para publikut, duke shprehur emocionin e saj për këtë ngjarje të veçantë. Performanca e saj përfshiu një sërë hitesh që e kanë bërë atë një nga artistet më të njohura të muzikës pop sot. Me skenografinë e saj mahnitëse dhe një grup të jashtëzakonshëm muzikantësh, ajo krijoi një atmosferë të paharrueshme për të pranishmit.