I ftuar në emsionin “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin ka qenë moderatori i njohur Drini Zeqo. Së fundmi, ai është një prej ish-banorëve të “Big Brother VIP 3”, ku rrugëtimi i tij përfundoi shumë shpejt për arsye personale, të cilat e detyruan të dilte nga shtëpia më e famshme në Shqipëri. Por historia dhe karriera e tij datojnë shumë vite më parë, ku vlen të përmendim këtu se ai ka qenë një nga prezantuesit e Top Albania Radio-s në fillimet e saj.
Si erdhi Drini Zeqo në TAR?
Në Top Albania Radio erdha shumë rastësisht. Nuk e kam treguar shumë këtë gjë, sepse në televizion kur intervistohesh nuk ka shumë kureshtje për këtë pjesën e radios. Erdha shumë rastësisht. Ngjita ato shkallët e piramidës dhe aty ishte në kat të dytë në mos gaboj dhe hyra në një koridor që të impresiononte. Ka pasur një murale të madhe aty, që besoj me rikonstruksionin që i është bërë piramidës ndoshta është ndryshuar dhe arrij tek recepsioni. Unë e bëra të gjithë këtë rrugën pa asnjë njohje specifike, thjesht me dëshirën e një të riu që donte të bënte një ndryshim në karrierën e tij. Kisha punuar për një radio dhe thashë që ‘Top Albania Radio është në kulmin e vet dhe shko provoje’. Dhe takoj Dj Indrit dhe i them që kam ardhur për një provë. U futa në një nga dhomat e zërit dhe më thotë që të bëja një hapje programi…
Më pas, ai shtoi:
Mbasi më hedh zërin më thotë që do të kontaktojë dikush nëse e kanë pëlqyer zërin tënd dhe në atë kohë zërat i dëgjonte vetë Tani i Topit, të cilit besoj i atribohet një pjesë e madhe e suksesit të Top Albania Radio dhe Top Channel pa diskutim. Prita dhe thashë që më duket se nuk ma kanë pëlqyer zërin. Kur pas dy-tre javësh më kontaktojnë dhe më thojnë që e ke kaluar këtë fazën e parë që le të themi më dha shumë kurajo për të besuar tek vetja dhe për të thënë diçka që vlen që tek ty. Dhe thënë nga personi në fjalë më dha shumë kurajo.