Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, priti në një takim prezantues përfaqësues të DEA-s (Drug Enforcement Administration) me qendër në Athinë, përfshirë Atasheun e DEA-s, John Livanis, dhe Atasheun e ICITAP-it (International Criminal Investigative Training Assistance Program), Richard Deasy. Ky takim pati një atmosferë miqësore dhe profesionale, ku theksi u vu në bashkëpunimin e ngushtë ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe aktiviteteve të tjera kriminale që rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Atasheu Livanis uroi Drejtorin Proda për detyrën e re dhe vlerësoi kontributin e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, duke përmendur sukseset e mëparshme dhe rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi të frytshëm. Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë e DEA-s për të forcuar partneritetin me autoritetet shqiptare në të gjitha fushat, duke përfshirë trajnimet, operacionet e përbashkëta dhe ndihmën teknike për të luftuar aktivitetet e kriminalitetit të organizuar, veçanërisht trafikimin e lëndëve narkotike.
Nga ana e tij, Drejtori Proda falënderoi përfaqësuesit e DEA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi angazhimin e Policisë së Shtetit për të ruajtur një nivel të lartë profesionalizmi dhe besueshmërie në të gjitha operacionet dhe iniciativat ndërkombëtare që do të realizohen në të ardhmen. Ai garantoi se Policia e Shtetit është e gatshme të bashkëpunojë ngushtësisht për të përballuar çdo sfidë në luftën kundër krimit të organizuar dhe aktiviteteve të tjera kriminale.