Kozeta Kurti, një nga “pioneret” e para të radiove private në Shqipëri, që në fund të viteve ‘90-të, kthehet në Top Albania Radio pas 17 vjetësh me “Back to the Beginning”. Ky format e nisi rrugëtimin edhe në 2020-ën, fiks në të njëjtën periudhë me pandeminë globale “Covid 19”-të, por me sa duket kjo është koha e duhur.
Jo vetëm Kozeta, por edhe të ftuarit e saj do ta kthejnë kohën pas, si çantë shpine, në fillimet e tyre, midis qindra kujtimesh. “Për të kuptuar ku po shkon, kujto nga erdhe”. E ftuar në “Back to the beginning” ishte Abigeila Voshtina. Një artiste me kuptimin e plotë të fjalës, Abigeila pati një rrëfim special mbi karrierën, artin, mëmësinë e shumë të tjera.
Djali pothuajse bën dy vjec. Shikoj një fëmjë të lumtur dhe të pavarur dhe kjo është një arritje për një nënë. Atij i pëlqen rreziku i pranueshëm, mendoj që kam pasur shumë fat sepse i ati ka qenë shumë prezent në jetën e tij, ka bërë edhe mamin disa herë. Është një mbështetje e madhe, ndryshe nuk do ia kisha dalë.
Cila është dëshira e madhe e një violiniste dhe drejtuese si Abigeila? Ajo shprehet:
Një relaks me familjen ku prioriteti do ishte djali, të shkonim nga një breg në një tjetër…
Lidhur me rolin si drejtuese ajo tha si më poshtë.
Dëshira për të pasur drejtimin vjen nga dëshira për të lënë gjurmë. Gjurmët nuk lihen duke vazhduar por duke ndryshuar. Sa e aftë do jem unë për të lënë këto gjurmë, kjo do shihet. Që një drejtues artistik të ketë timon 100% është pak e vështirë se ajo që do ti të bësh ka lidhje edhe me buxhetin.