Reperi kanadez Drake ka humbur një shumë të madhe prej 355 mijë dollarësh (rreth 336 mijë euro), pasi vuri një bast për fitoren e legjendës së boksit Mike Tyson kundër youtuber-it dhe boksierit Jake Paul.
Drake është i njohur për bastet e tij të mëdha në ngjarje sportive, por shpesh ka përfunduar me humbje.
Ndjekësit në rrjetet sociale nuk ngurruan të ironizojnë, duke i vënë fajin atij për “mallkimin” që duket se e ka pasur Tyson në këtë rast. Komentet nga fansat ishin të shumta: “Normalisht që Drake e bëri këtë dhe ja ku arritëm”, “Gjithmonë e prish ky i mjeri Drake” dhe “E dija që s’kishte shanse që Tyson të fitonte kur Drake vuri bast”.
Nëse Tyson do të kishte dalë fitues, Drake do të kishte mundur të fitonte më shumë se një milion dollarë (rreth 948 mijë euro).
Legjenda e boksit Mike Tyson, tani 58 vjeç, u rikthye në ring pas një periudhe gati 20 vjeçare pushimi, por humbi përballë 27-vjeçarit Jake Paul, një youtuber që ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në boks. Pas tetë raundesh, gjyqtarët shpallën fitoren për Paul, duke bërë që kjo të ishte një ngjarje zhgënjyese për Tyson.