Aktualitet Politikë

Dosja për “21 Janarin”, përfundon dëshminë në SPAK bashkëshortja e Aleks Nikës!

Ka përfunduar dëshminë në SPAK bashkëshortja e Aleks Nikës, i cili u vra në protestën e 21 Janarit 2011 në bulevardin përballë Kryeministrisë.

“Dhashë fakte të reja që s’mund t’i bëj publike”, deklaroi ajo për mediat pas daljes nga ambientet e institucionit të drejtësisë.

Rajmonda Nika mbërriti në SPAK mëngjesin e sotëm rreth orës 10:00 për të dëshmuar për 21 Janarin, gjashtë ditë pas Prokuroria e Posaçme rinisi hetimet.

Ajo mbërriti rreth orës 10:00 shoqëruar nga Mark Nika, xhaxhai i viktimës. Ky i fundit vijon të japë dëshminë e tij në Prokurorinë e Posaçme.

Çështja e 21 janarit po hetohet nga prokurori i posaçëm, Alfred Shehu.

Ishte gjykata e Lartë ajo që urdhëroi prokurorinë e posaçme ta regjistrojë procedimin, si një detyrim që rrjedh edhe nga vendimin i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Familja e Nikës prej më shumë se një dekade kërkon drejtësi për vrasjen e djalit të tyre dhe tashmë SPAK pritet të zbardhë të vërtetën e asaj ngjarje dhe rolin e kupolës më të lartë shtetërore.

Procedimi penal është regjistruar për vrasjen e Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa, por nëse akuzat provohen dhe faktohet se garda është urdhëruar të kalojë nga plumbat manovër në plumba të vërtetë nga Sali Berisha apo Lulzim Basha, ndëshkimi do të jepet për të gjitha jetët e humbura, si krim shtetëror.