Aktualitet

Dosja “Partizani”, caktohet gjyqtarja e Berishës!

Caktohet gjyqtarja antikorrupsion që në seancë paraprake do të shqyrtojë dosjen “Partizani”, me të akuzuar Sali Berishën, Jamarbër Malltezin, Fatmir Bektashin, Xhimi Begenë e Andia Pustinën. Shorti përzgjodhi Flojera Davidhin. Së shpejti pritet të nisë gjyqi. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe dje ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, ndërtuesin Fatmir Bektashi, si dhe Xhimi Begenë e Andia Pustinën, për aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” në kryeqytet.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Sali Berisha, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike, akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim. Dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, akuzohet për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

SPAK akuzon Fatmir Bektashin, për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.

Xhimi Begeja, akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Andia Pustina, akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale.

SPAK ka dërguar për gjykim edhe shoqëritë tregtare të përfshira në aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

SPAK bën të ditur se subjekti juridik, shoqëria tregtare, Studio “Pustina” sh.p.k. akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale.

Po ashtu edhe subjekti juridik, shoqëria tregtare, “Homeplan” sh.p.k., akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” si dhe subjekti juridik, shoqëria tregtare, Kontakt sh.p.k., që sipas SPAK akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Flojera Davidhi është caktuar gjyqtarja e cila do të zhvillojë gjyqin paraprak për aferën “Partizani”.

Sali Berisha prej fundit të dhjetorit, ndodhet në “arrest shtëpie”, pasi nuk zbatoi një vendim të mëparshëm të gjykatës për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësor, vendim të cilin ai e konsideron si antikushtetues.