Aktualitet

Dosja “Partizani”, shtyhet seanca paraprake/Avokati i Berishës: Do të kërkojmë pushimin e çështjes!

Dosja e privatizimit të klubit sportiv “Partizani” në Tiranë, sot Gjykata e Posaçme shtyu për më 25 nëntor ora 12:00, seancën paraprake ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, ndërtuesit Fatmir Bektashi, si dhe Xhimi Begesë e Andia Pustinës. Sipas avokatit Genc Gjokutaj, “seanca paraprake është caktuar para 10 ditëshit që mbrojtja ka në dispozicion për të shqyrtuar aktet”.

Seanca është caktuar para 10 ditëshit, por janë 160 mijë faqe. S’duhet vetëm të lexohen por edhe të selektohen kush janë të dobishme për çështjen. Nuk ka as dyshimin më të vogël të arsyeshëm që do të kërkojmë pushimin e çështjes. Pastaj vendimmarrja është e gjykatës.

Në seancën paraprake, gjyqtare e së cilës është Flojera Davidhi, vendoset nëse çështja do të shkojë për gjykim, dosja do të kthehet pas ose do të pushohet çështja.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Sali Berisha, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike, akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim. Dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, akuzohet për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

SPAK akuzon Fatmir Bektashin, për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.

Xhimi Begeja, akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Andia Pustina, akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale.

SPAK ka dërguar për gjykim edhe shoqëritë tregtare të përfshira në aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

SPAK bën të ditur se subjekti juridik, shoqëria tregtare, Studio “Pustina” sh.p.k. akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale.

Po ashtu edhe subjekti juridik, shoqëria tregtare, “Homeplan” sh.p.k., akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” si dhe subjekti juridik, shoqëria tregtare, Kontakt sh.p.k., që sipas SPAK akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sali Berisha prej fundit të dhjetorit, ndodhet në “arrest shtëpie”, pasi nuk zbatoi një vendim të mëparshëm të gjykatës për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, vendim të cilin ai e konsideron si antikushtetues.