Aktualitet Politikë

Dosja Partizani, Sali Berisha zyrtarisht i pandehur për korrupsion pasiv!

Sali Berisha qëndroi vetëm 23 minuta në SPAK ku iu komunikua akuza e korrupsionit pasiv lidhur me dosjen Partizani. Pasi doli, ish-kryeministri deklaroi se “asgjë nuk ndryshon” e foli për “vazhdim të hakmarrjes politike”. Berisha u shpreh se i treguan 500 faqe “mashtrime”.

Vizitova pjesën muzeale të SKAP-it ku gjendej ora 400 mijë e 600 euro e qëndisur me diamante, dhurata e Edi Ramës. Gjendej fotografia, gjendej fotografia e Amant Josifit për meritat e tij në spekulimin dhe mashtrimin botëror. Gjendej Ymer Lala tek i jepte Dumanit 1 milion euro për pyetjen që nuk i bëri. Gjendej Taulant Balla, i cili po merrte shpërblimin e Suel Çelës për shpërblimin e vrasësve të Lulzim Kullës.

Gjendeshin horra që shkojnë nga gjykatësi në gjykatës dhe u bëjnë forma më të neveritshme presioni, duke përdorur dokumente antiligjore për t’i mbajtur peng ata. Gjendeshin dokumente nga Greqia të Irenës me 5 mbiemra, të cilat i ruante Dumani në kasafortë. Tregojnë që është një delinkuente e dënuar.

Gjendeshin 100 milion euro të Edi Ramës dhe Beqes. Gjendeshin 300 milion euro të Vilma Nushit që i ndan me Edi Ramën. Gjendeshin 4 miliardë euro të Edi Ramës e Alabarit. Kjo është shpella e krimit të organizuar në Shqipëri. Organizata më e rrezikshme kriminale në Shqipëri dhe Europë. Sot jam zyrtarisht i pandehur.

Për ato akuza që kam pasur, asgjë tjetër. Asgjë tjetër përveç 500 faqe me mashtrime, mashtrime, mashtrime. Asgjë nuk ndryshon. Eshtë vazhdimi i një hakmarrjeje politike, zbatimi i një urdhri mafioz politik. Për mua, kjo nuk ndryshon gjë. Ajo që është themelore, që nuk ekziston asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument që të dëshmojë që në të gjithë këtë proces ka ndodhur shkelja më e vogël.

Pas qëndrimit të shkurtër të Sali Berishës në SPAK e deklaratave të tij para gazetarëve, mbështetësit e tij u shpërndanë. Ata protestuan në solidaritet me kryetarin demokrat, i cili sot ishte për herë të dytë në Prokurorinë e Posaçme dhe e sulmoi ashpër këtë institucion ku po sot shkon dhe Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-shefit të qeverisë.