Ndërsa pak ditë më parë Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion mori të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha për akuzën e korrupsionit lidhur me procesin e privatizimit të klubit sportiv “Partizani” në Tiranë, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, i dhanë dosjen e plotë me 499 faqe. Në kët dosje që Top Channel disponon, theksohet se “familjet Berisha dhe Malltezi kanë përfituar të ardhura nga njëra-tjetra”.
Në listën e SPAK-ut, renditen pagesat që Jamarbër dhe Argita Malltezi (dhëndri e vajza e ish-kryeministrit) kanë bërë për familjen Berisha. Aty listohen pagesa për shërbime shëndetësore, borxh financiar për Shkëlzen Berishën dhe detyrime që ish-shefi i qeverisë i ka pasur një studioje ligjore jashtë vendit ku po bën mbrojtjen pasi u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në harkun kohor të 10 viteve, familja Berisha, si edhe Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” i Liri Berishës, bashkëshortes së kryetarit demokrat, kanë marrë dhjetëra pagesa nga Jamarbër e Argita Malltezi.
Një prej këtyre rasteve është ai i Hidrocentralit të Ashtës dhe të tjerë hidrocentraleve që pasi merrnin licenca nga VKM-të e lëshuara nga kryeministri i kohës Sali Berisha, kalonin mijëra euro në llogaritë personale të Jamarbër Malltezit, në banka të ndryshme në Tiranë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, historia mes Sali Berishës dhe firmës “Österreichische Elektrizitätsëirtschafts-Aktiengesellschaft”, nis më 17 tetor 2008, kur ai miratoi një VKM për ndërtimin, pronësinë, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të një hidrocentrali të ri në Ashtë, në Bushat të Shkodrës.
Referuar vendimit numër 170, datë 18.12.2012, Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), sërish me urdhër të Sali Berishës vendos të miratojë edhe marrëveshjen e shitjes së energjisë mes KESH sh.a-së dhe Energji Ashtës. Në atë periudhë, ai deklaronte se “Hidrocentrali i Ashtës nuk e cënonte mjedisin”.
Në dosje shkruhet:
Përgjatë viteve konstatohet se shtetasi Adrian Shehu, për llogari të një marrëdhënieje të shoqërisë Energji Ashta si më sipër të krijuar e të projektit të mësipërm, paguan shtetasin Jamarbër Malltezi si vijon:
Në vitin 2008 në llogarinë e Jamarbër Malltezit , Adrian Shehu ka derdhur 18.900 Euro
Në vitin 2009 në llogarinë e Jamarbër Malltezit, Adrian Shehu ka derdhur 8.820 Euro
Në vitin 2010 në llogarinë e Jamarbër Malltezit, Adrian Shehu ka derdhur 25.754 Euro
Në vitin 2011 në llogarinë e Jamarbër Malltezit, Adrian Shehu ka derdhur 12.1290 Euro
Në vitin 2012 në llogarinë e Jamarbër Malltezit, Adrian Shehu ka derdhur 7.985 Euro
Në vitin 2012 në llogarinë e Jamarbër Malltezit Adrian Shehu ka derdhur 5.760 Euro
Në vitin 2013 në llogarinë e Jamarbër Malltezit Adrian Shehu ka derdhur 2.220 Euro
Në total janë 81,595 euro të marra nga Jamarbër Malltezi
I pyetur nga hetuesit e SPAK-ut më 03.04.2024, Adrian Shehu, në emër të firmës së Hidrocentralit të Ashtës u përgjigj se e njeh prej kohësh Jamarbër Malltezin e duke qenë se ishte pedagog i Universitetit Bujqësor të Kamzës dhe ka qenë në grupin e punës për vlerësimin e ndikimin në mjedis të këtij hidrocentrali.
Shtetasi Adrian Shehu ka deklaruar se shtetasin Jamarbër Malltezi e njeh prej shumë vitesh. Në projekte të ndryshme bashkëpunonte me specialistë të ndryshëm, por kryesisht i besonin më shumë pedagogëve dhe shtetasi Jamarbër Mallëzi ka qenë pedagog në Universitetin Bujqësor të Kamzës.
Ky shtetas ka qenë në grupin e punës për raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis të Hidrocentralit të Ashtës, i cili ndodhet në Shkodër. Pjesë e grupit që ka bërë vlerësimin në mjedis kanë qenë shumë shtetas të tjerë specialistë të fushës, ku gjithësecili përgatiste atë pjesë të raportit që lidhet me fushën e vetë. Në këtë projekt janë paguar nga VEVE Group, me të cilën kanë patur dhe punë e projekte të tjera në Shqipëri. Përsëri me VEVE-n kanë punuar për vlerësimin mjedisor të kapacitetit që mund të kishte Drini i Zi për prodhimin e energjisë elektrike.
Me shtetasin Jamarbër Malltezi kanë bërë disa punë në fushën e mjedisit dhe nuk e kujton me saktësi vitin, por së bashku me të e shtetasin Lirim Selfo krijuan një shpk që të punonin bashkarisht. Por shpk-në me emër “Mjedisi dhe Zhvillimi i qëndrueshëm” e kanë mbyllur brenda muajit për shkak të komenteve politike që u bënë në lidhje me hapjen e kësaj shoqërie.
Sqaron në lidhje me pagesat e bëra shtetasit Jamarbër Malltezi duke pretenduar se pagesat nga VEVE Group kryheshin në emër të Adrianit, si përfaqësues i cili edhe ka lidhur kontratën me VEVE Group dhe pasi merrte këtë pagesë, Adriani ua shpërndante anëtarëve të tjerë të grupit që kanë marrë pjesë në hartimin e raportit për vlerësimin e mjedisit.
Gjithashtu edhe pagesa të kryera shtetasit Jamarbër Malltezi për projektin Devolli, sqaron se kanë punuar për llogari të VEVE Group. Për projektin e vlerësimit në mjedis punonin si grup. Pagesën e merrte vetëm Ardiani dhe ua kalonte pjesëtarëve të tjerë të grupit. Kryesisht, vlerësimi kryhej nga një grup pedagogësh të cilët ishin nga Shkencat e Natyrës, Kamzës e Fakultetit të Gjeologi-Minierave, theksohet në dosjen e SPAK-ut.