Art & Kulturë Film & Tv

“Don’t Worry Darling” mes dallavereve të Hollywood-it, formës dhe përmbajtjes. Kritikë

Kur një film ka qënë në gojën e të gjithëve prej fillimit të prodhimit, e akoma më shumë në muajt e fundit, për shkaqe jo të përmbatjes së tij se sa të fijeve dallavereske të protagonistëve, është e vështirë të shkruash ftohtë, duke u munduar ti lësh ato jashtë. Kjo sepse, sado të mundohesh, filmi debutues si regjisore i Olivia Wilde – “Don’t Worry Darling” është realisht një lesh – e li ngjarjesh që nuk dimë ku u mbaron e vërteta dhe ku u fillojnë lëvizjet e marketingut të filmit për të bërë publikun të shkojë në kinema për ta parë.

Por të ndodh që filmin ta shohësh në një sallë të madhe në Londër – ku karrigët shtrihen si krevate – ku fonia është mpirëse dhe ekrani është i madh, përthithës mjaftueshëm sa të të zhysë edhe brenda një filmi jo aq të mirë. Pa dashur të tregoj shumë prej tij, po ju them se ngjarjet zhvillohen në Kaliforni, në atë që duket si mesi i viteve 1950-të, diçka që ndihmon në dizanj, dramaticitet dhe narrativë për ta bërë thyerjen iluzive edhe më të fortë. Vizatimi i amerikës së kohëve të shkuara dhe shtypjen e atyre kohëve është një kunjë për politikë-bërjen që shohim sot në tokën e premtuar. “Don’t Worry Darling” i shërben këtij qëllimi me një zgjuarsi që i përshtatet ndjenjës së zemërimit.

Florence Plugh interpreton Alice Chambers, një nga gratë që jetojnë në qytetin Victory, një komunitet model në shkretëtirën e kalifornisë. Bashkëshorti i saj Jack (Harry Styles) si të gjithë burrat e grave të qytetit punon në një prjekt sekret të quajtur Victory Project – një organizatë që është ndërtuar dhe drejtohet – njësoj si qyteti nga një burrë karizmatik i quajtur Frank (Chris Pine). Që prej nisjes uniformiteti rrënqethës i qytetit të jep një ndjesi negative. Mënyra se si mëngjeset duken si të një programi kompjuterik, kur me një saktësi milimetrike Jack dhe burrat e tjerë të qytetit; Dean (Nick Kroll), Pete (Asif Ali) dalin nga shtëpia për në punë e përshëndeten po aq njësoj nga gratë e tyre; Bunny (Olivia Wilde), Peg (Kate Berlant) çdo ditë që kalon, para se të zhduken në zyrat e punës së tyre sektrete poshtë malit afër qytetit.

Uniformiteti sugjeron autoritarizëm. Gratë në këtë mikro-shoqëri nuk punojnë; po aq nuk u lejohet të ngasin makinën, për të lëvizur brenda qytetit përdorin linjën urbane të tramvajit (Victory Bus Link) në të cilin lexohen tabela që dënojnë thashethemet. (Çfarë dëgjoni këtu…lëreni këtu). Çdo ditë, me të njëjtën saktësi fatale, gratë shkojnë në një klasë baleti klasik e cila drejtohet nga gruaja e Frank, Sheley (Gemma Chan), e cila dikton mantra të “kontrollit” “simetrisë” dhe “rregullit“. Kur është në shtëpi, Alice dëgjon radio ku një zë i fortë burri inkurajon dëgjuesit për “sakrificë” “besnikëri” duke njëkohësisht i premtuar atyre “mbrojtje“. Energjiku Frank, me ngrohtësi dhe butësi mbledh ‘vartësit‘ e tij e u premton atyre “progres” dhe largim të “kaosit“, duke mos iu kthyer shoqërisë së infektuar e duke përforcuar idenë e kultit brenda Victory-së, se aty ata “Po Ndryshojnë Botën“.

Victory është një vend joshës sepse është plot stil. Residentët e saj jetojnë në një epokë të mbushur me ngjyra dhe elemente që nga vendet totalitare quheshin dekadente, edhe pse të jetuarit në ‘lukse’ të njëjta është në vetvete një lloj totalitarizmi i ndryshëm po aq sa i njëjtë në thelb. Edhe sikur “Don’t Worry Darling” të mos ofronte asgjë tjetër veç kuadrit tejet të pëlqyeshëm (Regjisorja ka punuar me drejtorin e fotografisë Matthew Libatique, i cili arrin të personifikojë fiziken dhe metafiziken në fotografinë e tij) dhe lojës së aktorëve, kryesisht të Pugh, Wilde, Berland dhe Chan, filmi do të quhej një sukses. Por ai ofron shumë më tepër se kaq. Përtej jetës posh të banorëve të qytetit, gratë jetojnë aty ngjashëm me gratë kudo në vende totalitare ose para totalitare (pre me too, pre feminizmit). Alice, kalon jetën e saj duke larë shtëpinë, bërë pazarin, duke bërë darkën dhe pritur për të shoqin e lodhur nga një ditë e gjatë pune. I vetmi ndryshim mes çiftit qëndror të filmit dhe të tjerëve është fakti që ata nuk kanë fëmijë dhe kanë ende edhe pas vitesh një jetë të gjalle seksuale – nga ato me thyerje pjatash –  momente të cilat i keni parë edhe në trailerin e filmit.

Përtej vellos shumë-ngjyrëshe të kadifenjtë problemet e para nuk vonojnë të shfaqen. Kasandra e historisë është Margaret Watkins (Kiki Layne) një ndër të paktat afroamerikane në komunitet dhe bashkëshortit të saj Ted (Ari’el Satchel). Në festën e Frank, Margaret ndërpret soireen-ë me pyetjen:

Pse jemi këtu? Ky nuk është vend për ne…

para se të tërhiqej më vete nga i shoqi. Margaret arrin të gjejë mundësinë për ti treguar Alice pikëpyetjet e saj në lidhje me jetesën në këtë qytetet, pak përpara se Alice bëhet dëshmitare e një aksidenti. Hetimi i saj personal për ngjarjen i ngjall asaj pikëpyetjet të ngjashme duke vënë në rrezik avenirin e të shoqit, Jack, në organizatë e rrjedhimisht jetesën e tyre aty – duke njëkohësisht e kthyer filmin nga një dramë në një thriller.

Disa nga cilësitë pozitive të Victory-së – si integrimi anakronik racial dhe etnik, si edhe mungesa e paragjykimeve për seksin – sugjerojnë asgjë më pak se një maskë për një skemë tipike kontrolli. Sidoqoftë edhe përpara pyetjeve të shtruara nga Margarat-a, Alice nuk është në sinkron me programin rutinor dhe lumturinë e stisur të banorëve të tjerë, kjo tregohet në disa skena të shkurtra por domethënëse – kur ajo çan vezët boshe njëra mbas tjetrës, apo kur mbështjell kokën me qesen e kuzhinës duke ‘tentuar’ një lloj vetvrasjeje. (Jo pak herë fillim merr trajta të pastra horrori). Është e vështirë të dallojmë mes të vërtetës dhe haluçinacioneve të saj e për pasojë të lexojme se çfarë po ndodh me protagonistët. Dhe kaq… vazhdimin shiheni vetë.

Mbas shfaqjes së parë të filmit në Festivalin e Filmit në Venecia, shumica e kritikave ishin negative, po aq sa shkrimet negative që lidhnin sjelljen e Wilde me ish partnerët e saj dhe lidhjen me Harry Styles. Filmi ka qënë dhe vazhdon të jetë i rrethuar nga artikuj skandalozë për Shia LaBeouf, mënyrës se si ky u pushua nga puna, apo hoqi dorë për shkak të lidhjes me Pugh, se si Wilde u nda nga ish bashkëshorti mbasi ra kokë e këmbë për Styles gjatë xhirimeve, sesi Styles pështyu Chris Pine në premierë etj etj.

Për ta përmbledhur, ky është një film që shihet, sigurisht jo ndër më të mirët e vitit, por ja vlen barra qeranë, dhe debutimi artistik i Wilde është i arritur, diçka që nuk mund të thuhet për Styles i cili duket si një ngërç që ka marrë një rol përmes nepotizmit.

E sigurt është vetëm kjo; në rastin e “Don’t Worry Darling” nuk mund të themi, shumë zhurmë për asgjë!