Health & Beauty Lifestyle

Doni të sillni pak ‘frymë’ romantike në shtëpinë tuaj?! Kjo lule është idealja…

Nëse dëshironi të dekoroni hapësirën tuaj të punës ose të sillni pak frymë romantike në shtëpinë tuaj, zgjidhni Kalanchoe, një lule shumë e njohur që nuk kërkon shumë kujdes. Kjo bimë me gjelbërim të përhershëm e ka origjinën nga Madagaskari dhe mund ta gjeni në ngjyra të ndryshme, nga e kuqja, nga portokallia në të verdhë.

Lulet zakonisht zgjasin nga 4 deri në 6 javë dhe gjethet janë të harlisura gjatë gjithë vitit. Mund të arrijë një lartësi deri në 30 centimetra dhe për këtë arsye është ideale si dekor në një tryezë, tavolinë ose në një dhomë më të vogël. Është një zgjedhje e mirë për dhuratë, sepse simbolizon dashurinë, po ashtu është e qëndrueshme, sepse çdo vit lulëzon me të njëjtin intensitet.

Gjëja më e rëndësishme është që bima të marrë dritë të përshtatshme, por dielli i tepërt e pengon atë. Është mirë ta vendosni atë disa metra larg dritares. Është një opsion ideal për ata që mungojnë shpesh ose nuk kanë kohë të mjaftueshme për t’u marrë me bimët e brendshme, sepse nuk është kërkues.

Për të përfituar sa më shumë nga ajo, ujisni bimën çdo tetë deri në dhjetë ditë ose më rrallë me një sasi të vogël uji, priSni që toka të thahet përpara se të rilaget. Kur të lulëzojë, prisni butësisht majat e kërcellit me gërshërë dhe prisni rreth 6 javë. Do të shfaqen sytha të rinj. Jepini Kalanchoe një temperaturë të përshtatshme në dhomë, mbi 10 gradë. nëse dëshironi që ajo të dekorojë tarracën tuaj ose ta nxirrni vazon në oborr, sigurohuni që ta mbroni nga shirat dhe erërat e forta. Të gjitha pjesët e Kalanchoe janë helmuese nëse gëlltiten, ndaj duhet të keni kujdes nëse keni kafshë shtëpiake në shtëpi.