Bota

Donald Trump pritet të flasë për ekonominë, por a do t’i përmbahet temës?

Ish-Presidenti Donald Trump do të ketë shansit të mërkurën për të rikalibruar fushatën e tij për Shtëpinë e Bardhë. Ai mund ta bëjë këtë gjatë një tubimi që mban të mërkurën në Karolinën e Veriut, ku pritet të mbajë një fjalim të rëndësishëm për ekonominë. Tubimi do të mbahet në qytetin Asheville, që është pro demokratëve, por rrethohet nga distrikte që mbështesin republikanët. Fjalimi i Trump mund të ketë ndikim për ish-presidentin në nivel kombëtar dhe lokal.

Republikanët po kërkojnë që Trump të ndryshojë argumentet dhe sulmet që ai ka bërë ndaj Nënpresidentes Kamala Harris që kur demokratët e zgjodhën atë si kandidaten e tyre për President. Dy herë në javën e fundit, Trump nuk e ka bërë një gjë të tillë. Mundësinë e parë e pati në një konferencë shtypi njëorëshe në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida. Mundësinë e dytë për të ndryshuar strategjinë e fushatës së tij e pati në një bisedë që zgjati 2 orë e gjysmë në platformën e mediave sociale X me shefin ekzekutiv të këtij rrjeti social, Elon Musk.

Mundësia e radhës do të jetë në një shtet të pavendosur që ai e fitoi herën e fundit, para katër vjetësh. Trump fitoi në Karolinën e Veriut në garën me Presidentin Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020 me më pak se 1.4 pikë epërsi. Atij i duhet të bëjë përpjekjet maksimale që 16 votat elektorale të shtetit të mos kalojnë te demokratët për herë të parë që kur Barack Obama fitoi Karolinën e Veriut në vitin 2008.

Ne presim me padurim që Presidenti Trump të vijë në Karolinën e Veriut dhe të flasim për mënyrën se si ai do të përmirësojë ekonominë tonë. Kjo vizitë tregon se republikanët e kuptojnë se Karolina e Veriut është më e madhe dhe se ka zona të tjera që gjithashtu kanë rëndësi e jo vetëm kryeqyteti Charlotte. Këto komunitete këtu janë të rëndësishme.

Pyetja që shtrohet është nëse Trump mund t’u përmbahet çështjeve të ekonomisë, duke e mbajtur fokusin e kritikave ndaj zonjës Harris tek pasojat e inflacionit, në vend që të kalojë tek ofendimet e zakonshme.

Nënpresidentja Harris planifikon të shkojë në Karolinën e Veriut të premten për të paraqitur më shumë detaje të planit të saj për të “ndihmuar shtresën e klasës së mesme … një nga qëllimet kryesore presidencës sime”.

Sigurisht, Trump ka sulmuar më parë Shtëpinë e Bardhë në lidhje me ekonominë. Por ai e ka bërë këtë kryesisht me hiperbola, duke thënë se eknomia ka shënuar një rënie për shkak të zonjës Harris, të ngjashme me krizën e madhe ekonomike të vitit 1929. Ai gjithashtu ka bërë paralajmërime të përgjithshme se e rast të fitores së zonjës Harris , do të ketë një “Luftë të Tretë Botërore” dhe se zonat periferike amerikane do të “mbyten nga bandat e dhunshme të huaja” që janë lejuar të hyjnë në Shtetet e Bashkuara nga Shtëpia e Bardhë. “Zoti Trump bëri pretendime pothuajse identike gjatë përballjes me Biden në zgjedhjet e vitit 2020.

Javët e fundit ai ka pohuar se “nuk do të kishte inflacion” po të ishte rizgjedhur ai, duke injoruar ndërprerjet globale të zinxhirit të furnizimit gjatë pandemisë së COVID-it; rritja e shpenzimeve për COVID-in që përfshinte një paketë masive ndihme që Trump e nënshkroi si president; dhe efektet globale të çmimit të energjisë nga nisja e agresionit rus në Ukrainë.