Aktualitet Bota

Donald Trump premton se do përdorë ushtrinë për dëbime të emigrantëve të paligjshëm!

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump synon ta shpallë çështjen e emigrantëve një emergjencë kombëtare dhe ka njoftuar se do të përdorë ushtrinë për të kryer dëbime masive të emigrantëve të paligjshëm.

Trump i ka premtuar elektoratit të tij një politikë të papajtueshme ndaj emigrantëve dhe të hënën ai përsëriti dhe konfirmoi synimet për atë që, ai e quajti “programi më i madh i dëbimit në historinë amerikane”.

Duke iu përgjigjur një postimi në rrjetet sociale të Tom Fitton, presidenti i grupit konservator Judicial Watch, i cili foli për “përdorimin e burimeve ushtarake për realizimin e një programi deportimi masiv”, Trump në fakt e konfirmoi këtë duke shkruar: “E VËRTETË!!”.

Për më tepër, presidenti i ardhshëm i SHBA-së ka ngritur një ekip bashkëpunëtorësh intransigjentë për çështjen e emigrantëve për të realizuar këtë politikë, duke filluar nga Tom Homan dhe Stephen Miller, edhe pse kornizat e këtij deportimi nuk janë aspak të qarta për momentin.

“Ditën e parë, do të nis programin më të madh të dëbimit në historinë amerikane për të larguar kriminelët”, tha presidenti amerikan gjatë një mitingu në Madison Square Garden në ditët e fundit të garës presidenciale.

Nga ana ekonomike, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do t’i lejonte Trump-it të shfrytëzonte fonde dhe burime shtesë, të nevojshme për të kryer një program dëbimi masiv të kësaj shkalle që përfshin spastrime dhe kampe të përkohshme ndalimi.

Siç shpjegoi vetë Miller, planet e Trump përfshijnë gjithashtu vullnetin për të federalizuar personelin e Gardës Kombëtare të shtetit dhe angazhimin e tyre për zbatimin e ligjeve të imigracionit, duke përfshirë dërgimin e trupave nga shtetet mike të qeverisura nga republikanët, në shtetet fqinje me guvernatorët që refuzojnë të marrin pjesë.