Ish-presidenti amerikan, Donald Trump do të paditet për një pagesë ndaj një ylli të filmave pornografikë, në këmbim të heshtjes para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Detajet e rastit ende nuk janë bërë të ditura. Një juri e madhe votoi për ta paditur, pas hetimit të pagesës 130 mijë dollarëshe për Stormy Daniels-in, në përpjekje për t’i blerë heshtjen lidhur me një marrëdhënie të supozuar.
76-vjeçari Trump mohon çdo akuzë dhe bëhet ish-presidenti i parë amerikan që përballet me padi penale. Prokurori i qarkut Manhatan të Nju Jorkut, Alvin Bragg konfirmoi se kontaktoi avokatin e Trump-it, për të “koordinuar dorëzimin e tij” mbi akuzat e paspecifikuara. Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë, i cili aktualisht jeton në Florida, të hënën pritet të udhëtojë për në Nju Jork e të paraqitet në gjykatë të martën e 4 prillit.
Përmes një deklarate, Trump e sulmoi ashpër prokurorin e Manhatanit, duke e quajtur “një turp” dhe e akuzoi se po e bën atë që e quajti “punën e ndyrë të Joe Biden-it”.
Demokratët gënjyen, mashtruan e kanë vjedhur, për të “zënë Trump-in”, por tani bënë atë që është e paimagjinueshme, paditën një person plotësisht të pafajshëm, përmes një akti të ndërhyrjes flagrante në zgjedhje.
Ka të ngjarë që ngritja e padisë të nxisë kritikët që thonë se Trump bëri manipulime deri në marrjen e Shtëpisë e Bardhë, por nga ana tjetër, kjo do të angazhojë mbështetësit e tij, të cilët janë të mendimit se “republikani po vihet padrejtësisht në shënjestër nga një prokuror demokrat”.
Alvin Bragg po ndërmerr një hap të pazakontë. Rasti në fjalë u hetua nga dy prokurorë të mëparshëm, të cilët refuzuan të ndërmarrin lëvizjen me peshë të madhe politike për të kërkuar ngritjen e padisë ndaj ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nuk ka dyshime se dhënia e dritës jeshile nga juria e madhe për ngritjen e akuzave ndaj Trump-it është një ngjarje e jashtëzakonshme pas vitesh hetimesh mbi marrëdhëniet e tij në fushën e biznesit e të politikës amerikane.