Nëse Donald Trump shton Dhomën e Përfaqësuesve në fitoren e tij të qartë elektorale në Shtëpinë e Bardhë dhe Senat, në janar ai do të bëhet një nga presidentët më të fuqishëm në historinë e SHBA, me kontrolle dhe balanca të kufizuara.
Legjitimiteti demokratik
Pasditen e së enjtes, me pes milionë vota përpara në votimet e numëruara, Donald Trump duket në rrugën e duhur për të fituar votën popullore kundër Kamala Harris-it. Në 20 vjet, ai do të jetë i pari president republikan që pritet të arrijë këtë duke dëshmuar se gabuan anketuesit që parashikuan të kundërtën.
78-vjeçari ka fituar një shumicë të qartë në Kolegjin Elektoral, me hendek që mund të zgjerohet kur të bëhen të ditura rezultatet në Arizona e Nevada edhe pse numërimet e vendosin në krye. Nëse shpallet fitues aty, Donald Trump do të ketë arritur një Grand Slam në shtatë shtetet kyçe.
Amerika na dha mandat të fuqishëm e të paprecedentë.
Ndryshe nga viti 2016 kur Hillary Clinton mori më shumë vota se ai, Donald Trump do të jetë në gjendje të mbështetet në këtë legjitimitet popullor, veçanërisht përballë gjyqtarëve që e ndjekin penalisht, të cilët i akuzon si të korruptuar.
Kongres aleat?
Ndërsa ende ka rreth 30 vende për t’u ndarë nga 435 në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët po udhëheqin garën për të ruajtur shumicën. Kampi i Trump-it tashmë ka rifituar kontrollin e Senatit, Dhoma e Lartë e Kongresit. Ky organ vendimtar i pushtetit federal ka prerogativa shumë të rëndësishme, veçanërisht në emërimin ose shkarkimin e figurave kryesore në ekzekutiv apo edhe në konfirmimin e magjistratëve federalë.
Vini re që presidenti i zgjedhur ka punuar me sukses për të mbytur çdo mospajtim brenda Partisë Republikane, e cila tani përkrah linjën e tij “Make America Great Again”.
Imunitet i ri
Donald Trump do të jetë presidenti i parë që do të marrë detyrën me një dozë të rehatshme imuniteti gjatë kryerjes së detyrave. Kjo rrjedh nga një vendim historik i Gjykatës së Lartë, i dhënë më 1 korrik në rastin e ndjekjeve penale federale kundër ish-presidentit për përpjekjet e tij të paligjshme për të ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve të fituara më 2020-ën nga Joe Biden. Ky vendim i solli pushim Donald Trump-it, i cili i shpëtoi tre nga katër gjyqeve kriminale të bujshme. Duke u zgjedhur sërish në krye të ekzekutivit, ai do të përfitojë nga një horizont plotësisht i qartë gjyqësor.
Një qeveri e ndjekësve:
Rishtar politik, në fillimin e mandatit të parë më 2017-ën, Trump pranoi të rrethohej nga zyrtarë me përvojë në çështjet publike, mënyrë për të qetësuar kancelaritë e huaja. Përballë sjelljes ndonjëherë të paparashikueshme të liderit, këta elementë moderatorë u quajtën “të rriturit e dhomës”.
Për mandatin e tij të dytë, ai nuk i fsheh synimet e tij për t’u rrethuar me ndjekës, veçanërisht duke shpërblyer ata që e ndihmuan në fushatën e tij, përfshirë miliarderët Vivek Ramaswamy e Elon Musk. Vini re që Donald Trump, i cili e kaloi mandatin e parë duke sulmuar vendimet sovrane të Bankës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, më 2016-ën do të ketë mundësinë të emërojë pasardhësin e kreut aktual të Fed, Jerome Powell. Guvernatori paralajmëroi se nuk do të jepte dorëheqjen nëse presidenti i ri do t’ia kërkonte.
Një Gjykatë e Lartë e rinovuar
Pasi e “ankoroi” Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara në konservatorizëm gjatë mandatit të parë, duke emëruar tre nga nëntë gjyqtarë, tani Donald Trump do të jetë në gjendje ta çimentojë këtë ”ankorim” me kalimin e kohës.
Dy shtyllat konservatore të Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas dhe Samuel Alito, përkatësisht 76 dhe 74 vjeç, mund të konsiderojnë me të vërtetë dorëheqjen dhe lejimin e presidentit të emërojë përgjithmonë dy zëvendësues dukshëm më të rinj.
Organi më i lartë gjyqësor amerikan, i cili vendos për debate të rëndësishme sociale, si dhe për mosmarrëveshjet elektorale do të ruante më pas shumicën e tij konservatore ndoshta për dekada.