I ftuar në emisionin “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin ka qenë një studiues, kurator, kritik dhe eseist, e kemi fjalën për Oltsen Gripshi. Themeluesi dhe kuratori i njohur ka zbuluar detaje në lidhje me “Bienalen Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor”.
Për herë të parë në Durrës, artistët më të njohur nga 17 vende të ndryshme do të jenë pjesë në eventin e rëndësishëm të arteve pamore bashkëkohore. Çfarë rëndësie ka kjo bineale për artin bashkëkohor shqiptar?
Kam dashur gjithmonë që të bëj diçka dhe sidomos për të kthyer vëmendjen e këtij qyteti antik dhe për t’i dhënë atij një skenë të rëndësishme ndërkombëtare kushtuar tërësisht artit bashkëkohor në këtë qytet. Ky edicion i parë ka bërë bashkë shumë artistë të njohur ndërkombëtarë dhe ka shkuar përtej pritshmërisë sime që në momentin që unë hodha hapin për ta bërë. Ky aktivitet për mua është shumë kuptimplotë.
Këta artistë ndërkommbëtarë çfarë kanë parë në këtë event?
Unë mendoj që edhe për disa vite do të vazhdojë kjo joshja dhe kurioziteti për të parë një vend që ka disa emërtesa jashtë Shqipërisë. Por edhe mënyra se si ata janë ftuar dhe se si ju është ofruar për të qenë pjesë e këtij aktiviteti të rëndësishëm. Kam menduar së bashku edhe me stafin që të jetë një Bienale e Venecias në miniaturë.
A është e vërtetë që i mungon promo-ja dhe marketingu artistëve të artit pamor?
E vërtetë është që ndoshta arti pamor në tërësinë e tij është një art i heshtur, pa fjalë ndonëse flet me imazhin dhe me shpirtin e artistëve krijues sigurisht që ka të bëjë dhe me mungesën e aftësive të artistëve të artit pamor për t’u vetë promovuar. Në realitetin tonë nuk është kaq e thjeshtë për t’u promovuar dhe për t’u evidentuar me punën tënde ndonëse ti mund të jesh shumë lart me anën profesionale, i talentuar dhe mund të bësh vërtet shumë gjëra të bukura që vërtetë komunikojnë disa mesazhe.
Do të duhet të jenë të tjerë nga jashtë për të parë dhe për të kuptuar talentin e disa personave që vlejnë vërtetë për t’u shfaqur dhe për t’u evidentuar me punën e tyre dhe për atë çfarë ato vlejnë. Është shumë e rëndësishme kjo. Artistët e artit pamor dhe piktorët flasin nëpërmjet imazhit dhe jo nëpërmjet fjalës, nuk kanë fjalën pikën e tyre kulmore. Pra kërkojnë të flasin nëpërmjet krijimeve të tyre artistike.