Tech

Do të zgjerohet prodhimi i kufjeve të realitetit të përzier në Vietnam, Meta e konfirmon!

Meta tha së fundmi se do të zgjerojë investimet në inovacionin e inteligjencës artificiale në Vietnam, duke përfshirë prodhimin e kufjeve të saj më të fundit të realitetit të përzier nga viti 2025. Njoftimi erdhi gjatë një vizite në Vietnam nga presidenti i Meta-s për çështjet globale, Nick Clegg, vetëm një javë pasi ai u takua me presidentin vietnamez To Lam në Nju Jork.

“Duke filluar nga viti 2025, Meta do të zgjerojë prodhimin e pajisjeve të saj më të fundit Mixed Reality Quest 3S në Vietnam”-tha Clegg në një deklaratë. Meta nuk iu përgjigj kërkesës së Reuters për koment mbi vlerën e investimit. Meta ka dhjetëra miliona përdorues në Vietnam të platformës së saj të mediave sociale Facebook.

Meta ka prezantuar kufjet me një çmim të përballueshëm në ngjarjen vjetore Connect. Thashethemet kanë qarkulluar për muaj të tërë se kompania po punonte për një version më të lirë të Quest 3 dhe tani ky version është në dispozicion me një çmim prej 300 dollarë. Ky mund të thuhet se është një ndryshim nga Quest 3 origjinal, i cili kushton 500 dollarë.

Sipas GSM Arena, Meta Quest 3S është një version më i përballueshëm i Quest 3. Në fakt, është më shumë një përzierje midis Quest 2 dhe 3. 3S fillon me 300 dollarë, por përdor të njëjtin çip Snapdragon XR2 Gen 2 si Quest 3 i zakonshëm me të njëjtat 8 GB RAM. Në vend të LCD-ve të dyfishtë, 3S përdor një LCD të vetëm me rezolucion pak më të ulët për sy (1,832 x 1,920 px kundrejt 2,064 x 2,208 px).

Ndërkaq, një model i ri Vision Pro do të hyjë në prodhim masiv gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025. Sipas raportimeve, ky model do të mundësohet nga çipi M5 ende i pa shpallur. Kufjet do të marrin gjithashtu Apple Intelligence, e cila, pritet të jetë pika kryesore e saj e shitjes. Pritet që elementët e tjerë të dizajnit, specifikave ose harduerit nuk do të ndryshojnë shumë. Kjo pritet që të ndikojë edhe në mos rritjen e çmimit.