Tech

Do të mund të lexojë mendjen e njerëzve?! Inteligjenca Artificiale po kalon çdo limit!

Zhvillimi i sektorit të Inteligjencës Artificiale është risia më e madhe teknologjike e dekadave të fundit. Kërkimet në këtë fushë duken vërtet pa limite dhe po shkojnë në një drejtim që kujton vërtetë disa skenare të detajuara në romane dhe filma me karakter distopik.

Rasti i fundit vjen nga Universiteti i Osakës, në Japoni, aty ku studiuesit që po hulumtojnë mbi inteligjencën artificiale po zhvillojnë një algoritëm që me shumë gjasa do të mund të lexojë mendjen e njerëzve.

Në eksperimentet e kryera, pjesëmarrësit vullnetarë, pasi shohin pamje të ndryshme, pranojnë t’ju bëhen disa rezonanca magnetike. Këto pamje të skanuara i dërgohen softuerit të inteligjencës artificiale, algoritmi i të cilit analizon të dhënat dhe i përkthen në pamje reale.

Programi ende është në fazën e hipotezës të asaj që truri i secilit mendon, por sipas studiuesve përgjigjet ishin të sakta në rreth 80% të rasteve, edhe pse shumë punë ka ende për t’u bërë. Studimi përben një hap të madh në zhvillimet e mundshme të Inteligjencës Artificiale, por pa problematikat që kishte një nga projektet madhore të Elon Musk, Neuralinku, që nënkuptonte gjithsesi një ndërhyrje kirurgjikale.

Rikujtojmë, se disa foto që tregojnë ish-presidentin Donald Trump duke u arrestuar nga forcat e rendit të qytetit të Nju Jorkut po bëjnë xhiron e rrjetit. Shumë kanë besuar se janë të vërteta, por imazhet janë të edituara dhe Trump nuk është arrestuar. Personi që krijoi shumë nga imazhet që qarkullonin në mediat sociale konfirmoi se ato ishin prodhuar duke përdorur Midjourney, një gjenerues i inteligjencës artificiale tekst-në-imazh, dhe së pari u postuan si parodi.