Disa javë më parë Karim Benzema fitoi Topin e Artë ndërsa tani është komentuar për një tjetër lajm të rëndësishëm në jetën personale. Është raportuar se ai dhe partnerja e tij, modelja Jordan Ozuna, janë në pritje të një fëmije së bashku. Megjithatë, këto thashetheme u hodhën poshtë nga vet futbollisti përmes rrjeteve sociale.
Benzema tha se këto lajme nuk janë të vërteta, duke bërë thirrje që të mos shpërndahen informacione të tilla. Çifti konfirmuan lidhjen në muajin gusht. Lojtari i Real Madridit ka gjithashtu tre fëmijë nga romancat e mëparshme. Një nga fëmijët e tij është Ibrahimi, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e Topit të Artë në Paris teksa sulmuesi merrte çmimin.
Në intervistat e mëparshme, Benzema ka folur se sa e rëndësishme është familja për të.
Familja ime më frymëzon dhe vlerat dhe morali që më dhanë prindërit më ndihmuan të qëndroja i njëjti person. Besimi im gjithashtu më ndihmon të jem i fokusuar çdo ditë. Më sjell përfitime dhe është forca ime për mua, familjen time, si dhe për punën time për gjithçka.
Rikujtojmë, se sulmuesi i Francës dhe i ekipit spanjoll Real Madrid, u shpall fajtor për shantazh seksual ndaj një futbollisti tjetër francez rreth një viti më parë. Sipas BBC-së, një gjykatës dënoi Benzema-në me një vit burg me kusht dhe e urdhëroi atë të paguajë një gjobë prej 75 mijë eurosh. Skandali tronditi komunitetin e futbollit në Francë dhe të dy lojtarët humbën vendet e tyre në Kombëtare. Rasti daton qershorin e vitit 2015, kur që të dy futbollistët ndodheshin në një kamp stërvitor francez.