Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS-së, ndër të tjera tha se në mandatin e katërt do të vendosin qershinë mbi tortë me organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë, për të cilin kanë vënë kandidaturën.
Ai tha se për të organizuar këtë do t’i qepen dhe do t’i bindin se nuk ka më mirë se në Shqipëri, duke shtuar me ironi se nuk do t’i cojë në Vlorë.
Rama theksoi se nuk po kërkon t’i bëjë anti-reklamë Vlorës, por është mërzitur me këtë të fundit për shkak të çmimeve të larta të vendosura gjatë këtij sezoni turistik.
Rama: Do të hapim vitin e ardhshëm edhe Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Do t’ia sjellim vlonjatëve turistët edhe me avion, që t’ia vënë çmimin e taksisë nga Aeroporti në Vlorë më shumë se çmimi i biletës nga Londra në Vlorë.
Vlonjatët, nuk ke ca i bën. Ne shkojmë përpara, por ata shkojnë edhe më përpara, ndaj ndonjëherë ngelin dhe thonë “ku vajtën”.
Dua te vendosim qershinë mbi tortë në mandatin e katërt dhe dua të kemi në Tiranë Samitin e NATO, kemi venë kandidaturën për vitin 2027 dhe do t’i qepemi dhe do t’i bindim që s’ka më mirë se Shqipëria. Do t’i garantojmë që nuk do t’i çojmë në Vlorë për të ngrënë, se nuk po i bëj antireklamë Vlorës, se gatuajnë shumë mirë, por më kanë mërzitur me ato çmimet.