Aktualitet

Djegia e gomave para Bashkisë Tiranë, procedohen Klevis Balliu e Adriana Kalaja!

Policia e Tiranës referon në prokurori materialet për 6 pjesëmarrës në tubimin e djeshëm të opozitës përpara Bashkisë së Tiranës. 60 vjeçarja Kalaja është proceduar për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”. Balliu për “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik” e “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”. Materialet i kaluan Prokurorisë Tiranë.

Njoftimi zyrtar: 

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në lidhje me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme, në vijim të veprimeve hetimore të kryera ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në gjendje të lirë për shtetasen A.K., 60 vjeçe, për veprën penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”;

– K.B., 22 vjeç, K.B., 35 vjeç, I.T., 49 vjeç, A.H., 45 vjeç dhe S.N., 38 vjeç, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

Këta shtetas ditën e djeshme kanë djegur dy goma automjetesh dhe më pas janë bashkuar me grupin e deputetëve dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Nga Bashkia Tiranë, dje protestues të PD-së iu bashkuan protestës te parlamenti e që synonte bllokimin e punës së Kuvendit. Maxhoranca përgatiti një propozim për të ndëshkuar deputetët e Partisë Demokratike lidhur me zhvillimet e një dite më parë e që kulmuan me një përplasje fizike të fortë mes ligjvënësve e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Për Top Channel, burime nga Partia Socialiste konfirmuan se propozimi për ndëshkim do të përfshijë deputetët Elda Hoti, Petrit Doda dhe Albana Vokshi.

Dje në seancë plenare, Hoti u akuzua nga socialistët se derdhi benzinë në sallë duke çuar në ndërprerje të punimeve derisa të bëhej verifikimi. Një tjetër incident lidhet me momentin kur Albana Vokshi, Elda Hoti e Petrit Doda bllokuan foltoren dhe nuk lejuan kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit të lexonte raportin vjetor mbi punën e institucionit që drejton. Më pas, ai u largua.