Bota

Dje Hungaria mori kryesimin e BE-së, kryeministri Orban shkon në Kiev!

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ndodhet për vizitë në Kiev, për herë të parë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në vitin 2022. Zëdhënësi i tij, Zoltan Kovacs tha se Orban do të diskutojë për “paqen europiane” me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Bisedimet do të fokusohen në mundësitë për arritjen e paqes, si dhe në çështjet aktuale në marrëdhëniet dypalëshe hungareze-ukrainase, shkroi Kovacs në X.

Vizita e tij vjen një ditë pasi Hungaria mori presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Europian e që do ta mbajë deri më 31 dhjetor 2024. Orban është kritik i ndihmave ushtarake të Perëndimit për Ukrainën.

Dhjetorin e kaluar, ai u largua nga një takim i liderëve të Bashkimit Europian, për të shmangur votimin kundër nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Muajin e kaluar, Unioni nisi këto bisedime me vendin që lufton me Rusinë prej mbi dy vitesh.

Po ashtu, Orban është një nga udhëheqësit e paktë perëndimorë që ka takuar presidentin rus, Vladimir Putin prej shkurtit 2022 kur ai urdhëroi pushtimin e vendit fqinj.

Dje Hungaria mori zyrtarisht presidencën e radhës të Bashkimit Europian. Kryeministri nacionalist i krahut të djathtë, Viktor Orban është kreu i parë i kryesimit që ka sulmuar dhe poshtëruar publikisht institucionet e vetë Unionit.

Në fjalimet dhe intervistat e tij, vazhdimisht ka pohuar se BE-ja kërcënon sovranitetin hungarez, po shkatërron klasën e mesme të saj dhe po sulmon sektorin bujqësor të vendit. Kjo është arsyeja pse siç tha, ai duhej të shkonte në Bruksel dhe “të shkundte strukturat e pushtetit atje”.

Gjatë vitit të kaluar, Hungaria ka përdorur veton për të bllokuar vendimet e shteteve të tjera anëtare në nivel BE-je. Por, pavarësisht nga skepticizmi themelor që vendi i tij ka shfaqur ndaj Bllokut, ministri hungarez për Çështjet Europiane, Janos Boka ka deklaruar se Budapesti do të jetë një “ndërmjetës i ndershëm” kur të marrë përsipër presidencën e radhës të Këshillit për gjashtë muajt e ardhshëm.

Nga 1 korriku deri më 31 dhjetor, Hungaria pritet të udhëheqë mbledhjet e Këshillit, si dhe të përcaktojë axhendën e si dhomë e dytë legjislative do të kryesojë negociatat me Parlamentin Europian.