Dëshmia e 25-vjeçarit të arrestuar si bashkëpunëtor në ekzekutimin e Enver Ballës nga djali i tij, Esmeraldi, hedh më tepër dritë mbi ngjarjen makabër të Shënavlashit në Durrës, të ndodhur më 13 gusht. Para grupit hetimor, i punësuari si bari në fermën e familjes Balla, Edison Brahaj pranoi se ditën e krimit gjendej disa metra larg vendit ku u ekzekutua 62-vjeçari e se dëgjoi dy të shtëna dhe më pas u thirr nga autori i dyshuar, për ta ndihmuar të zhvendosin trupin e viktimës që fillimisht e fshehën në ferra.
Të nesërmen (më 14 gusht) u kthyen dhe e morën trupin për ta hedhur në pusin afër një stani tjetër. Për këtë, Brahaj deklaroi se Esmerald Balla i dha para e për shumën ka kontradikta, por pavarësisht kësaj, akuzohet për “Fshehje ose asgjësim të kufomës”, “Moskallëzim të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Pas vrasjes dhe hedhjes në pus të kufomës në mesin e muajit të kaluar, Esmerald Balla denoncoi në polici largimin e babait nga banesa dhe nisi të vinte në zbatim skenarin e zhdukjes së babait me një grua duke marrë me vete kursimet e familjes në vlerën e 7,5 milion lekëve.
Pas dyshimeve se mund të ishte krim në familje, nga hetimet e deritanishme, rezulton se vrasja nuk ka qenë një akt vetëmbrojtjeje, siç përpiqet ta paraqesë autori, por një ekzekutim i Enver Ballës, i qëlluar me dy plumba, pas koke e në kurriz. Hetimet po vazhdojnë me intensitet për të zbuluar nëse ka të tjerë bashkëpunëtorë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.
Një fakt intrigues që pret përgjigje është dhe sjellja e kasafortës së hapur me gur fresibël disa ditë pas krimit, rreth 30 metra në afërsi të banesës së familjes Balla. 25-vjeçari i tha grupit hetimor se konflikti me babanë nisi për para të munguara që ai duhej t’i dorëzonte për blerjen e një shtëpie, por viktima pranoi se ishin shpenzuar.