Aktualitet

Divjakë, dënohet kryeinspektori i bashkisë/Lejoi ndërtime pa leje!

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin R.L., kryeinspektor i Bashkisë Divjakë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjatë hetimeve rezultoi se shtetasi R.L, me detyrë Kryeinspektori i IMTV Bashkia Divjakë, me mosveprimet e tij dhe duke mos përmbushur detyrën funksionale, nuk ka paraqitur kallëzim për rastet e ndërtimeve të paligjshme duke vepruar në kundërshtim me parashikimet e ligjit “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme” si dhe ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

Këto veprime përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës dhe kanë sjellë dëmtimin e interesave të ligjshëm të shtetit.

Ndaj kërkesës së prokurorisë në lidhje me procedimin e mësipërm, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, vendosi deklarimin fajtor i të pandehurit R.L, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe dënimin e tij me 1 vit burgim.

Në një tjetër zhvillim, policia e Durrësit identifikoi e vuri në pranga një shtetas të dyshuar për zjarrvënie. Nga zjarri që ndezi ky shtetas, në fshatin Rrotull, Ishëm, u dogj një sipërfaqe toke me pemë e shkurre dhe u rrezikuan të përfshiheshin nga flakët dhe disa banesa.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera nga shërbimet e Policisë, me qëllim përcaktimin e autorësisë së zjarrvënieve, u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit I. V., 48 vjeç, banues në fshatin Rrotull, Ishëm.

Ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr, për të djegur disa mbeturina dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke me pemë e shkurre dhe u rrezikuan dhe disa banesa. Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve dhe shërbimeve të Policisë, mundësoi neutralizimin e flakëve të zjarrit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Policia e Shtetit apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarr, pasi do të përballen me ligjin.