Aktualitet

Ditët e nxehta të verës, këshilla për qytetarët si t’i përballojnë/Duhet kujdes nga më të rrezikuarit!

Bashkë me të nxehtin e temperaturat e larta që vënë në rrezik shëndetin, vijnë dhe këshillat mjekësore për t’u ndjekur nga qytetarët, sidomos për të moshuarit dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese. Rekomandohet të shmangin lëvizjen në orët e pikut e të kujdesen për shëndetin duke ndjekur këshillat e mjekëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale këshillon qytetarët të shmangin daljen nga shtëpia gjatë orëve më të nxehta të ditës, duke shmangur ekspozimin në diell në pikun e temperaturave nga ora ‪11:00 deri më ‪18:00.

Bazuar në rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik, ky dikaster u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes në situatat e të nxehtit ekstrem.

Këshillohet që qytetarët të mbajnë shtëpinë të freskët dhe temperatura e ambientit duhet të mbahet nën 32°C gjatë ditës dhe 24°C gjatë natës

Këshillohet të vishen rroba të lirshme, me materiale pambuku

Të pihen rregullisht ujë e lëngje deri në 2 litra, si dhe të shmangen alkooli, kafet e tepërta e sheqeri

Rekomandohet të konsumoni ushqim në racione të vogla e shpeshherë

Tregoni vëmendje në përgatitjen dhe ruajtjen e ushqimit. Temperaturat e larta favorizojnë prishjen e ushqimit, rrisin rrezikun e diarreve e të vjellave, si dhe helmimin nga ushqimi

Për personat që përdorin medikamente, të mos i ndërpresin apo t’i ndryshojnë, pa u konsultuar me mjekun përkatës

Rekomandohen dushe të shpeshta me ujë të vakët

Duhet të shmangen aktivitetet fizike me intensitet të lartë

Ajrosni makinën nëse është për një kohë të gjatë në diell, duke hapur dyert dhe nëpërmjet kondicionerit, para se të lëvizni me të. Përdorni pajisjet e ruajtjes nga dielli e mos i lini fëmijët vetëm në makinë

Ndihmoni të tjerët. Kontaktoni me familjarët, miqtë dhe fqinjët të cilët jetojnë vetëm, pasi në ditët e nxehta mund të kenë nevojë për asistencë

Grupet më të rrezikuara ndaj temperaturave të larta janë:

Të moshuarit

Foshnjat dhe fëmijët e vegjël

Individët të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike si ato kardiovaskulare, diabeti, thyreotoksikoza, sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK), sëmundjet mendore, të veshkave, insuficienca renale, gurët në veshka, etj.

Gratë shtatzëna

MSHMS thekson se, të gjithë ata që vuajnë nga sëmundje kronike duhet të konsultohen me mjekun e familjes apo me specialistin për të përballuar sa më mirë temperaturat e larta të stinës së verës.

Për çdo emergjencë shëndetësore, qytetarët duhet të kontaktojnë në numrin 127.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të mbështeten në rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik,  për të parandaluar rrezikun e të nxehtit për të gjithë popullatën, sidomos për fëmijët, adoleshentët e të moshuarit.