Aktori i njohur Agron Llakaj ka humbur bashkëshorten e tij, e cila është ndarë nga jeta mbrëmjen e së premtes. Lajmin e trishtë e ka bërë me dije vetë Llakaj, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se Kostandina vuante nga një sëmundje e rëndë prej një kohe të gjatë. Ai shton në postimin e ndjerë se gjysma e tij më e mirë iku drejt parajsës.
Pas një beteje të gjatë me një semundje të rëndë… Gjysma ime më e mirë iku sot drejt Parajsës. Me dhimbje të thellë ju njoftoj për ndarjen nga jeta të bashkëshortes time Kostandina, mami i Alkides dhe Enos, “Nina bukuroshe” e Adeas, nena e Teos dhe Brus. Homazhet do të zhvillohen në ‘Home Funeral Parajsa” (Ish-NShRAK-Tiranë). Ceremonia e varrimit në orën 15:00 në Varrezat e Sharrës.
Në një postim në Instagram, ai e ka shoqëruar me shkrimin prekës për partneren e jetës së tij, e cila prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.
Kostandina ime e shtrenjtë! Edhe pse t’i kam thënë shumë e shumë herë… sot në lamtumirën tënde të fundit, dua që t’i kesh me vete. Kemi patur një rrugëtim të vështirë, të lodhur dhe me shumë sakrifica… ëndërruam për një jetë të re dhe me shumë ambicie. E që unë të mbaroja shkollën e lartë të Arteve, ti sakrifikove nga jeta jote, rrite dy fëmijët, Alkidën dhe Enon.
Sa shumë ke sakrifikuar për Ne… Ti ishe shtëpia, forca më e madhe që ne kishim ishe Ti. Kur vendosëm të vinim drejt Tiranës për një të ardhme më të mirë, ishe po ti që krijove Tiranën (Itakën) në mua. “Nuk do kthehemi mbrapa kurrë Agron, beso në mua! Ne do tia dalim!” Dhe ashtu ndodhi.
Dhe ecëm e ecëm, u rritëm edhe ne bashkë me fëmijët, u bëmë dikushi, i buzëqeshëm kohës dhe viteve, të qenurit nënë e babë e pastaj gjyshër… sa shumë ëndrra… Por ja që jeta nuk është skenar i shkruar, sëmundja e pabesë na e mbylli perden e skenës së jetës atëherë kur duhet ta shijonim më shumë.
Dhe e fundit Kostandina ime, sot kam shumë lot për ty por di që, kur një artist largohet nga skena merr duartrokitjet me vete… Ti ishe gjysma ime më e mirë e njeriut dhe artit dhe tani me largimin tënd nga skena unë e kërkoj një duartrokitje të madhe. Falemnderit Kostandina! Falemnderit GoNina!
Lamtumirë në qiellin e engjëjve aty ku shpirti yt i mirë e meriton! Më prit… nuk di se kur, por ti do më presësh si përherë!
View this post on Instagram