Aktualitet

Dita e fundit e muajit shtator, parashikimi i motit për sot!

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se kjo javë do të karakterizohet me ndryshime të situatës meteorologjike. Ditën e sotme, të nesërme dhe të mërkurën, vendi ynë do të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike me mot të kthjellët e me vranësira të pakta kalimtare gjatë orëve të mesditës.

Pas mesjavës parashikohet ndryshim tërësisht i situatës meteorologjike e kjo për shkak të largimit gradual të qarkullimit anticiklonar, për t’i lënë vend ndikimit të një qendre të thellë presioni të ulët me origjinë veriperëndimore e pozicionuar mbi Gadishullin Apenin.

Rrjedhimisht, për ditën e enjte dhe të premte, aktiviteti i këtyre masave ajrore të lagështa do të bëjë që moti të jetë i paqëndrueshëm, me reshje shiu të herëpasherëshme e të vazhdueshme në formën e rrebesheve të shpejta dhe stuhive afatshkurtra, të cilat përgjatë Ultësirës Perëndimore e në zonat urbane mund të shfaqen problematike.

Era intensifikohet e fortë, në formën e tufanit kryesisht përgjatë vijës bregdetare për pjesën më të madhe të ditëve, pasi hera-herës do të arrijë shpejtësi 11-18 m/s, në kuadratin e jugut. Vlen të theksohet prezenca e mjegullës dhe mjegullinës në orët e para të mëngjesit e në momentin e reshjeve të shiut.