Bota

Dita e 63-të e luftës në Ukrainë, në flakë depozita ruse e municioneve, pranë kufirit!

Forcat e armatosura ukrainase goditën pozicionet ruse te ishulli i Gjarpërinjve duke shkatërruar edhe sistemin raketor antiajror Strela-10. Lajmin e jep ushtria ukrainase:

Ndërkohë, trupat tona vazhdojnë të luftojnë në kufirin e pushtuar. Armiku u përpoq të përparonte drejt rajonit Mykolayiv, pranë fshatrave Tavriyske e Nova Zorya, por nuk pati sukses, pësoi humbje domethënëse dhe u tërhoq.

Shpërthime të ndryshme u dëgjuan në Poltava, në rajonin qendror të Ukrainës. Në flakë edhe depozita ruse e municioneve pranë kufirit me Ukrainën, në afërsi të fshatit Staraya Nelidovka, në rajonin Belgorod, në Rusinë perëndimore. Në një tjetër zhvillim, Shtëpia e Bardhë përshëndeti vendimin gjerman për të dërguar armë në Ukrainë. Zëdhënësja Jen Psaki:

Siç u shpreh shefi i Pentagonit, Lloyd Austin, ishte një ditë e rëndësishme e konstruktive. Më shumë se 30 vende, tani janë ofruar për të përmbushur nevojat urgjente të Ukrainës. Mirëpresim njoftimin e rëndësishëm nga ana e aleatëve tanë gjermanë, për të dërguar në Ukrainë, rreth 50 sisteme antiajrore.

Gjithashtu, Shtëpia e Bardhë zgjodhi të evidentojë njoftimin e qeverisë britanike për të përforcuar Ukrainën me sisteme antiajrore, si dhe lajmërimin e Kanadasë, për të dërguar automjete të blinduara.

Paralelisht me këto zhvillime, Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu shqetësimet për tensionet në rajonin separatist rus Transinistri të Moldavisë, pranë kufirit me Ukrainën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se “po e ndjekin nga afër situatën”. Zëdhënësi Ned Price:

Ritheksojmë apelin e qeverisë moldave për qetësi, si përgjigje ndaj këtyre incidenteve e shprehim mbështetje të plotë për integritetin territorial e sovranitetin e Moldavisë! Respektojmë neutralitetin e garantuar në Kushtetutë. Nuk i dimë të gjitha detajet, me përjashtim të atyre që ndodhën të hënën, por jemi të shqetësuar nga mundësia e përshkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve.

Ndërkaq, Moldavia thërriti mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Nga ana tjetër, për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, “me Moskën në Çernobil, bota është në prag të një katastrofe”.

Për ushtrinë ruse, zona e Çernobilit dhe centrali bërthamor ishin si një fushëbetejë normale, një territor ku nuk kishin pse të shqetësoheshin për sigurinë bërthamore.