Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizituan sot, në Ditën Botërore të Bletëve, kopshtin “Dielli” në kryeqytet, ku zhvilluan edhe një bashkëbisedim me fëmijët dhe edukatoret e kopshtit. Në fjalën e tij, Veliaj u shpreh i lumtur për transformimin e të gjitha institucioneve arsimore të Tiranës në tetë vitet e fundit, duke nënvizuar faktin se bashkia subvencionon në raportin 7 me 1 koston e kopshteve dhe çerdheve.
“Gjatë këtyre 8 viteve ne kemi transformuar 101 kopshte dhe çerdhe në Tiranë. Ushqimi gatuhet i freskët çdo ditë, po ashtu kemi futur konceptin e Reggio Emilia-s, pra të mësuarit duke luajtur me mjete rrethanore dhe produkte të ricikluara, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat që kemi liruar nga fushata e parë e lirimit të hapësirave të kopshteve dhe çerdheve, për t’i kthyer në kënde lojërash dhe kënde mësimore. Sot jemi në një situatë ku bashkia subvencionon 7 me 1 pagesën e kopshteve dhe çerdheve. Sigurisht, ia vlen kur mendon se prindërit lirohen që të punojnë, të jenë produktivë, të fitojnë të ardhura, duke i pasur fëmijët në një mjedis të sigurt, në një situatë ku, sot kopshtet dhe çerdhet e Tiranës kanë marrë një vlerësim maksimal edhe në shkallë rajoni. Vërtet kemi ofruar një shërbim për komunitetin dhe kur më thonë ndonjëherë që merresh me çerdhe, kopshte, kënde lojërash, u them mund të jenë 20% e popullsisë, por janë 100% e të ardhmes tonë”, u shpreh Veliaj.
Në fjalën e tij, Presidenti Bajram Begaj vlerësoi metodën e re të mësimdhënies nga edukatoret, ndërsa shtoi se kur bëhet fjalë për arsimin duhet ta kuptojmë që ai nis që nga parashkollori.
“Kopshti ‘Dielli’, me ngrohtësinë e dhënë nga edukatoret, ngroh më shumë se 150 fëmijë dhe unë jam shumë i lumtur që shikoj që secili nga fëmijët është i përshtatur shumë mirë me rolin e tij, duke na treguar me detaje se çfarë duhet të bëjë dhe çfarë bën. Kjo tregon një metodë të re mësimdhënie nga edukatoret, të cilat i falenderoj për përkushtimin, angazhimin dhe gjithë devotshmërinë e tyre për këta fëmijë, të cilët janë e ardhmja jonë. Kur flasim për arsimin, duhet të kuptojmë që arsimi fillon që nga parashkollori. Nëse nuk tregojmë kujdes për arsimin parashkollor, nuk mund të kemi një të ardhme të mirë. Mendoj se këta fëmijë sot na treguan se ardhmja do të jetë shumë e mirë”, tha Begaj.