Festivali i njohur “Sunny Hill” ka marrë një vëmendje shumë të shtuar në mbarë botën. Festivali nisi që të enjten dhe zgjati deri më 7 gusht dhe këtë vit, sipas organizatorëve u ndoq nga mbi 25.000 persona çdo ditë.
Festivali i muzikës është një nga më të mëdhenjtë në Kosovë dhe këtë vit ka pasur interpretues si J Balvin, Diplo dhe vetë Dua Lipa-n gjithashtu. DJ amerikan, Diplo, ka performuar në natën e katërt dhe njëkohësisht të fundit në festivalin “Sunny Hill”.
Ai dhuroi një energji të mahnitshme përpara publikut shqiptar duke krijuar kështu një atmosferë të paharrueshme. Së fundmi Diplo, emri i vërtetë i të cilit është Thomas Wesley Pentz, ka ndarë disa nga prapskenat e festivalit, ku shfaqet me Dua Lipa. Dyshja shihen duke bërë poza para kamerës në videon që mori reagime të shumta në Instagramin e Diplo-s.
Dua dhe Diplo tashmë njihen edhe si bashkëpunëtorë shumë të mirë, duke qenë se kanë krijuar dhe një hit së bashku. “Electricity” mban titullin kënga e tyre, e cila është publikuar rreth tri vite më parë dhe deri më tani ka grumbulluar mbi 160 milionë klikime në YouTube. Krahas Diplo-s, të tjerë yje që performuan në “Sunny Hill” ishin J Balvin, DJ Regard Burak Yeter, Aj Tracey, Skepta etj.
Edhe pse është një nga DJ-të më të famshëm në botë, Diplo u has me vështirësi për të hyrë në një festë ku u punësua për të luajtur muzikë. 43-vjeçari ndau së fundmi një video të momentit kur iu refuzua hyrja në një jaht luksoz në Festivalin e Filmit në Kanë. Videoja tregon gjithashtu një grua brenda duke i thënë sigurimit, “Ai është DJ”, ndërsa Diplo, emri i vërtetë i të cilit është Thomas Wesley Pentz u përpoq të shpjegonte se ishte vetë pronari i jahtit që e punësoi atë. Megjithatë, roja ende dukej i pabindur dhe nuk pranoi ta linte të hynte.