Bota Lifestyle

‘Digjet planeti’, OKB ngre alarmin: “2024, viti më i nxehtë në histori”!

Viti 2024 mund të jetë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, duke thyer kështu rekordin e vitit 2023. Të dhënat u publikuan para samitit të OKB-së për klimën, i cili do të mbahet javën e ardhshme në Azerbajxhan, ku vendet pritet të dakordësohen për një rritje të fondeve për ngrohjen globale.

Shërbimi për Ndryshime Klimatike (C3S) i Bashkimit Evropian, Copernicus ka bërë të ditur se nga janari deri në tetor, temperatura globale mesatare ka qenë aq e lartë saqë viti 2024 do të jetë i nxehtë në botë. “Shkaktari kryesor i rekordit të këtij viti është ndryshimi klimatik”, ka deklaruar drejtori i C3S, Carlo Buontempo.

Shkencëtarët thanë se viti 2024 do të jetë gjithashtu viti i parë në të cilin planeti është më shumë se 1.5 gradë Celsius më i nxehtë se në periudhën para-industriale 1850-1900. Sonia Seneviratne, një shkencëtare në universitetin e kërkimit publik në Zyrih, tha se nuk ishte e befasuar dhe u kërkoi qeverive në COP29 të bien dakord për veprime më të forta për të larguar ekonomitë e tyre nga karburantet fosile që emetojnë CO2.