Aktualitet

“Digjet” Greqia – 300 zjarre në 24 orë, temperaturat mbi 40 gradë!

Më shumë se 300 vatra zjarri janë regjistruar në të gjithë Greqinë brenda 24 orëve të fundit, duke i vënë autoritetet në alarm. Temperaturat e larta mbi 40 gradë, era e fortë, por edhe zjarrëvënia e qëllimshme duket se janë faktorët e kombinuar bashkë që kanë ushqyer zjarret kryesisht në zonën e Atikës dhe ishujve të Egjeut.

Vetëm një ditë më parë autoritet zbuluan një person të maskuar që i vuri qëllimisht zjarrin një sipërfaqeje pyjore 5 kilometra në jug të kryeqytetit, Athinë. Flakët u përhapën pas kësaj me shpejtësi.

Është dashur ndërhyrja e mëse 100 zjarrëfikësve nga toka dhe avionëve dhe helikopterëve nga ajri për të bërë të mundur vënien e flakëve nën kontroll. Dy fshatra u evakuuan; dëmet llogariten në disa milionë euro, ndërsa banorët u përfshinë nga paniku.

“U tremba shumë. Sapo dëgjuam lajmin, bashkë me familjen mblodhëm çfarë mundëm. Unë dhe ime motër u larguam të parat, ndërsa prindërit qëndruan pas të kujdeseshin për kafshët“-shprehet Eva Lesioti, studente.

Më herët mbrojtja civile njoftoi banorët e Atikës,të Peloponëzit,Evias Kalkidhikisë dhe ishujve të Egjeut, të bëjnë kujdes pasi këto rajone janë në shkallën 4 të rrezikshmërisë për zjarre. Ministria e emergjencave civile publikoi një plan masash për parandalimin e zjarrvënies së qëllimshme, e cila klasifikohet si vepër penale që parashikon burgim disa vjeçar dhe gjoba tepër të rënda për këdo kapet duke shkelur ligjin.