Health & Beauty Vitality Vibes | News

Diferenca mes dietologjisë dhe nutricionit, Hyrida Basha ndan këshillat e vyera për një regjim të mirë ushqimor!

E ftuar në episodin e sotëm në “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin ka qenë Hyrida Basha, dietologe klinike, e cila do të na japë më shumë informacione rreth fushës së dietologjisë, nutricionit, si të ushqehemi, çfarë dhe kur duhet të hamë.

Si fillim Hyrida shpjegoi se ka një diferencë të madhe midis termit ‘dietologe’ dhe ‘nutricioniste’. Ndaj, nëse dietologjia klinike është e ndërthurur me nutricionin ende sot, ku futet pozicioni i saj në nutricion?

Ne jemi gjatë gjithë kohës në nutricion, sepse nëse ti nuk ke një bazë të mirë të nutricionit nuk mund të jesh dot një dietolog nëse ti nuk ke konceptin e strukturës, piramidës së pjatës e të tjera me radhë. Departamentet e dietologjisë përgjithësisht duhet të kenë edhe nutricionistin, edhe një person që ndoshta është herbalist, sepse vërtetë unë kam një të shkuar që vjen nga biologjia e i di mirë filozofinë bimore e të tjerë me radhë. Pra, është shumë e rëndësishme që njerëzit të jenë të specializuar në atë që bëjnë. Unë me të vërtetë jam një dietologe klinike dhe kam kaluar këto stade, por mund të kisha që në fillim të isha një mjeke, pastaj të kisha bërë nutricion apo dietologji, dhe ndoshta pjesën e herbalistikës ndoshta nuk do ta kisha bërë dhe nuk do ta kisha njohur mirë. Është gjë shumë pozitive që ne të arrijmë të krijojmë ekipe, ku secili nga ne ka rolin e vet, rëndësinë e vet dhe të shkuarën e vet në qëllim apo në ndërtimin dhe përpilimin të një regjimi që është për një pacient.

Përsa i përket rutinës ditore të ushqimit dhe si duhet ta ndjekim këtë regjim, Hyrida dha disa këshilla të vlefshme për dëgjuesit e Top Albania Radio.

Fjala ‘balancë’ është përgjigjia e të gjithë pyetjes, sepse nëpërmjet balancës ne kuptojmë se ti në pjatën tënde nuk ke arsye pse të tentosh të heqësh dhe çfarë jo. E rëndësishme është t’i kesh të gjitha. Kur them të gjitha flas për makrot: karbohidrat, proteinë dhe yndyrë. Në mëngjes kur sapo jemi zgjuar, ashtu siç kemi hapur sytë dhe e konsiderojmë zgjim, ashtu ka nevojë edhe trupi të zgjohet dhe mënyra më e mirë për ta bërë është hidratimi. Pra, 50 ml ujë esëll është shumë mirë, nëse duam ose sipas preferencave mund t’i hedhim pak limon. Kjo jo me qëllimin që të na dobësojë, apo do të na ulë kolisterolin, sepse kolisteroli nuk prodhohet vetëm në mëngjes dhe po pive ti ujin me limon u shkri, apo nuk formohet më. Një natë para mund t’i vendosni një lugë gjelle fara chia, sepse kanë një aftësi shumë të mirë të krijojnë një masë veshtullore rreth vetes, sepse hidratohen dhe marrin masën. Në momentin që kalojnë në zorrë fillon edhe e pastron nga toksinat, apo nga mbetjet dhe kjo është një gjë shumë e mirë për të stimuluar edhe procesin e defekimit. Procesi i defekimit duhet të jetë i realizuar patjetër në një orar të ditës, kryesisht në mëngjes, sepse edhe trupi është më i qetë, më i lirë. Pasi kalon gjysmë ore dhe është bërë rutina e mëngjesit, është mirë të konsumohet mëngjesit. Dhe kur flasim për mëngjesin, sa më shumë ngjyra të ketë pjata, aq më mirë do të ishte.