Dietat drastike mund të shkaktojnë lodhje të vazhdueshme dhe përkeqësim të përgjithshëm të shëndetit, kjo sipas dietologes Amy Goodson. Ajo ka theksuar dy shenja kryesore të cilat tregojnë që duhet të ndërprisni dietën. Sinjali kryesor i cili sugjeron që është koha të hiqni dorë nga dieta dhe të kaloni në ushqim më të balancuar, është rritja e nivelit të kolesterinës, ka thënë Goodson.
Ky problem mund të shfaqet për shkak të konsumimit të vazhdueshëm të artikujve me përmbajtje të ulët të karbohidrateve, me përmbajtje të lartë të yndyrave dhe proteinave. Sipas saj, shumica e regjimeve strikte dietale bazohet pothuajse në eliminimin e plotë të karbohidrateve, që do të thotë që ulet konsumimi i perimeve, frutave dhe drithërave integrale.
Për këtë shkak trupit i mungojnë fibrat, të cilat marrin pjesë në rregullimin e nivelit të kolesterinës. Si një tjetër shenjë alarmante, që tregon se duhet të ndaloni me dietat drastike, nutricionistja përmendi ndjenjën e vazhdueshme të urisë. Goodson shpjegoi se zvogëlimi i ashpër i kalorive për një periudhë të gjatë kohore jo vetëm që ka një efekt të keq në shëndet, por gjithashtu e bën një person të ndihet i pakënaqur, i dëshpëruar, i rraskapitur.
Për të shmangur këtë, duhet të kaloni në një mënyrë më të shëndetshme dhe më të ekuilibruar të ushqyerit. Është vënë re gjithashtu se dietat kufizuese dhe humbja drastike e peshës ndikojnë në shfaqjen e lodhjes së pashpjegueshme edhe pas një gjumi të qetë.
Ndërkaq, rikujtojmë se përdoruesit në TikTok po inkurajohen të tregtojnë produkte ushqimore dhe pije jo të shëndetshme. Në këtë përfundim ka arritur studimi i ‘British Medical Journal’, sipas të cilit përdoruesit e këtij rrjeti janë “ambasadorë të markave” jozyrtare, të cilat mund të arrijnë audiencë më të gjerë me marketingun e tyre.
Autorët e studimit, të botuar në revistën “BMJ Global Health”, thonë se ata kanë treguar që “TikTok është një burim në zhvillim i marketingut të ushqimeve të pashëndetshme”. Sipas Statistikave, më shumë se 40% e përdoruesve globalë të TikTok janë midis moshës 18 dhe 24 vjeç dhe 25% janë nga mosha 10 deri në 19 vjeç.